Manço i përgjigjet Bonuçit: Edhe ne duam tju varrosim
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mançini pritet që të befasojë Alegrin duke i vendosur përballë një ekip të rreshtuar me modulin që Juventusi përdor prej vitesh, 3-5-2 (ose 5- 3-2). Kjo do të jetë lëvizja e parë e 51-vjeçarit, i cili shpreson se duke u rreshtuar skuadrat njëlloj mund t'i krijojë probleme "Zonjës" në sulm.
Në konferencën e djeshme për shtyp, ai pranoi se skuadra e tij kurrsesi nuk mund të kopjonte Bajernin për të ndalur piemontezët, ndërsa habiti kur foli për Ljajiçin në "regji".
Çfarë të tha Tohiri përpara se të largohej? Së pari, u kënaq shumë, pasi drekuam të gjithë bashkë. Sa i përket pyetjes, them se kemi diskutuar për objektivat e skuadrës.
A mund të jetë takimi i kthesës së madhe ai me Juven?
Nuk besoj. Në lojë janë ende dhe 40 pikë prandaj ka shumë ndeshje për të luajtur. Por sigurisht do të jetë një ndeshje e rëndësishme.
A do të dëshiroje që të përsërisje ndeshjet që kanë bërë skuadra si Bolonja dhe si Bajerni?
Bajerni ka një ekip krejt ndryshe krahasuar me tonin. Pastaj ndeshjet e Championsit janë gjë tjetër. Pa dashur që të heqim paralele, them se nuk mund të luajmë si Bajerni. Ne mund të luajmë si Interi, pasi edhe ashtu dimë se si t'i vendosim në vështirësi. Nëse nuk shikojmë rezultatin, them se edhe takimi i vlefshëm për Kupën e Italisë ishte i ekuilibruar. Mendoj se nuk ishim mirë në sulm.
Një fitore do të thoshte shumë për Interin në aspektin psikologjik?
Sigurisht që po. Do të largonim mërzinë për të gjitha ato ndeshje që kemi merituar të fitonim, por që në realitet kanë përfunduar ndryshe.
Shoqëria duket se nuk të qëndron shumë pranë, a ndihesh vetëm?
Unë nuk jam vetëm. Gjithmonë kam mbështetjen e shoqërisë. Për të arritur te suksesi, siç kemi bërë vite më parë, duhet shumë kohë dhe punë.
A ka ndryshuar gjë tani që nuk bën shumë rrotacion?
Lojtarët janë po të njëjtët. Edhe tani bëj ndonjë zëvendësim. Herë-herë kemi luajtur edhe me tre qendërmbrojtës, por më shpesh kam përdorur modulin me katër mbrojtës.
Çfarë mendon për fjalët që dha Bonuçi?
Janë fjalë normale. Ata, ashtu si edhe ne, duan që të fitojnë.
A ke pengje për mënyrën sesi përfundoi takimi i parë?
Jo, asnjë. Si ata dhe ne luajtëm mirë. E dinim fare mirë se Juvja do të rikthehej.
Është e vërtetë që ke menduar të spostosh në "regji" Ljajiçin?
Pirlo e perfeksionoi atë rol me kalimin e kohës. Është një rol që kërkon shumë punë. Ljajiç është shumë ofensiv, por kjo nuk do të thotë se nuk e interpreton dot atë pozicion. I duhet kohë, por mund ta bëjë.