e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Pirlo dhe Markizio, celesi i Italise se Prandelit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pirlo dhe Markizio, celesi i Italise se Prandelit
Nëse bëhet përjashtim për problemin e vogël fizik që ka bllokuar Rikardo Montolivon për disa ditë, mesfusha mund të konsiderohet qetësisht si reparti që ndodhet në gjendjen më të mirë nga e gjithë kombëtarja italiane. Çezare Prandeli mund të thotë gjithçka, por nuk mund të mohojë se ka çuar në Poloni dhe Ukrainë mesfushën ideale. Ky repart ka mbajtur skeletin e kualifikueseve dhe ka shtuar disa lojtarë interesantë. Pika mbështetëse është pa dyshim Andrea Pirlo në kabinën e regjisë, ndërsa dy ndërmjetësit kanë qenë për një kohë të gjatë Daniele De Rosi dhe Klaudio Markizio. Roli i fantazistit është mbuluar me radhë nga Montolivo dhe Tiago Mota.

Në thelb, titullarët janë këta, edhe pse do të ketë ndryshime nëse De Rosi tërhiqet në mbrojtje. Gati një vit më parë, Italia arriti t’i mposhtte “furitë e kuqe” në një miqësore, por bëhej fjalë vetëm për një test. Tani historia ndryshon dhe të kaltrit do ta kenë shumë të vështirë që të mundin Ksavin dhe shokët e tij për sa i përket zotërimit të topit. Pika kyçe do të jetë loja në gjetjen e hapësirave të stilit “Juventus”, që me fjalë të tjera do të thotë vënia në vështirësi e Spanjës me Markizion dhe Pirlon, dy lojtarët që kanë bërë një sezon fantastik me bardhezinjtë. Me ndërhyrjet e Klaudios dhe eksperiencën dhe fantazinë e Andreas, Italia mund të ndryshojë rezultatin në çdo moment. Edhe pse për momentin një fitore me Spanjën duket delirim, ndoshta ëndrra realizohet.