e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Danimarka shokon Holanden (VIDEO)

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Danimarka shokon Holanden (VIDEO)
Me futbollistë të shpejtë nga krahët si Roben apo Afelaj, me një finalizues të shkëlqyer si Van Persi, me fantazinë e paparashikueshme të Shnajderit, Danimarka parashikohej se do ta kishte thuajse të pamundur që ta ruante të paprekur portën. Por ia ka dalë me sukses, ndërsa ka “kafshuar” një herë të vetme në pjesën e parë, cka u ka mjaftuar të besuarve të Morten Olsenit për ta nisur me këmbë të mbarë “Euro 2012”. Krejt e kundërta mund të thuhet për Holandën, e cila përmbys pritshmëritë dhe ndërlikon jo pak situatën e vet në të ashtuquajturin “grupi i vdekjes”. Në letër, kualiteti i “tulipanëve” është disa herë më superiorë se ai i rivalit, sidomos raporti i sulmuesve holandezë me mbrojtësit që kishin përballë, por golin nuk e nxorën dot në dritë. Kjo, edhe falë meritës së danezëve, që vrapojnë shumë dhe me një fantazist tepër të zgjuar si Eriksen, surprizuan një nga favoritët e kompeticionit.

Pjesa e parë Holanda e kishte menduar ndoshta më të lehtë kundërshtarin, edhe pse bëhej fjalë për Danimarkën, që në fushatën kualifikuese për të mbërritur deri këtu kishte superuar me sukses edhe rivalë të tillë si Portugalia. Portokallinjtë, të vendosur në fushën e lojës me një modul 4-2-3-1, me Robin van Persi në majën e sulmit, të asistuar nga pas prej Shnajderit, në pozicion qendror, dhe nga krahët prej Robenit e Afelait, shfaq ambiciet e veta që në vërshëllimën e parë të sllovenit Skomina. Presingu ndaj kundërshtarit si për topin e parë, edhe për hapësirën e fushës, i bën holandezët dominues të dukshëm në tapetin e blertë, aq sa e asfiksojnë kundërshtarin.

Danimarka gjendet nën një furtunë sulmesh të holandezëve, që përmes krtahëve, por edhe Shnajderit nga pas, kulmojnë veprimet e tyre me goditje të shumta drejt portierit Andersen. Po ashtu, Van Persi, me driblimet e tij të rrezikshme, e vë në alarm prapavijën daneze. Bëjnë gjithcka mirë të besuarit e Marvjik, vetëm se u mungon shënjestra e duhur për të dalë te goli. Që në minutën e 7-të, Robin van Persi i ka të gjitha mundësitë për ta kaluar Holandën në avantazh. I gjendurt në një pozicion ideal, përballë portierit kundërshtar, sulmuesi i Arsenalit gabon shënjestrën. Shpëton Danimarka nga goli, por nuk u shmanget dot furisë së sulmeve portokalli, që kanë si derivate goditjet e shumta nga distanca të Shnajderit, Robenit, Afelait dhe Van Bomelit. Holanda tenton në të gjitha mënyrat për të shënuar, por kjo nuk ndodh sa për mungesë saktësie të lojtarëve të saj, aq edhe për meritë të një mbrojtjeje të kujdesshme të danezëve, me në krye kapitenin Ager. Dhe po nuk shënove, do ta pësosh. Ligji i pashkruar i futbollit është materializuar në minutën e 24-t, në të vetmen zbritje të Danimarkës në portën e Stekelenburgut.

Poulsen nga e majta e sulmit të tij ka përshkruar metra të tëra, që nga mbrojtja e deri në këndore, duke u munduar të krosojë një top tokazi për tek Bendtner, sulmuesi i vetëm i deklaruar i të tijve. Por pasimi i tij devijohet nga një mbrojtës holandez, që e shndërron atë në një asist për Krohn Dehli, i cili edhe me një veprim të bukur me trup shmang prapavijën holandeze, vihet përballë Stekelenburgut dhe e kalon topin mes këmbëve të tij, duke shënuar. Shokohet Holanda, që në të vetmin rast të rrezikshëm të kundërshtarit pëson gol, ndërsa nuk ka mundur ta bëjë dot vetë këtë në disa raste të volitshme.

Nga ana tjetër merr zemër Danimarka, që tashmë ka nisur të fitojë edhe terren, duke e braktisur llogoren e vet të 16-metrave, ku ishte “ngujuar” nga presingu portokalli. Duket qartë taktika e Morten Olsenit, cka materializohet nga lojtarët e tij në fushë. Duke parë që mesfusha është e kontrolluar tërësisht nga holanda, danezët aplikojnë topin e gjatë, me qëllimin për t’i kapur kundërshtarët në befasi. Dhe në fakt kjo taktikë funksionon, sepse prapavija portokalli është në alarm të përhershëm, rreshtohet në mënyrë të gabuar dhe ndien shumë vështirësi. Danimarka krijon edhe dy raste të tjera në pjesën e parë, por nuk shënon dot golin e dytë, ndërsa portokallinjtë kanë shansin tjetër të artë në minutën e 36-të. Pasi portieri Andersen i ka dhuruar një top Robenit, ky i fundit avancon dhe vihet përballë kuadratit danez, gjuan bukur, por është shtylla që i thotë “jo”. Duket se në këtë pjesë loje edhe fati nuk është me tulipanët, ndaj skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me fitoren minimale të Danimarkës

Pjesa e dytë Ka nisur ashtu si e para, me Holandën në oefnsivë totale, port ë paqartë dhe disi nervoze, nga disavantazhi, që nglmon me forca të shumta në kërkim të golit. Marvjik nuk preferon të bëjë ndryshime në formacion që në startin e fraksionit të dytë, edhe pse Van der Vart dhe Huntelar duken në nxehje. Danezët mundohen të qarkullojnë disi më dendur topin, për të përfituar minuta dhe acaruar kundërshtarin. Poulsen, në të majtë, është një “piston” i jashtëzakonshëm për formacionin e olsenit. Ai shihet tërë kohës të marrë veprime individuale në një gjatësi të konsiderueshme, parallel me vijën anësore të fushës, duke u shndërruar në një problem serioz në fazën përmbyllëse për portokallinjtë. E tillë ishte minuta e 55-të, kur luan si “macja me miun” me mbrojtjen holandeze, driblon dy-tre kundërshtarë dhe gjuan në formë pasimi diagonal. Topi parakalon tërë zonën e Stekelenburg, pa u finalizuar dot nga danezët, që konsumojnë kësisoji një tjetër rast për të dyfishuar shifrat. Holanda tashmë sikur ka dalë nga detyrat taktike, e presuar nga humbja detyrohet t’u falet veprimeve individuale të Shnajderit, Robenit dhe Afelait.

Mirëpo, kjo ia lehtëson punën Danimarkës, që tregohet tepër e kujdesshme me lojtarët në fjalë, duke i future në “darë” ata. Shnajder, në rolin e regjizorit të lojës portokalli mundohet pa fund të fusë topa pas krahëve të mbrojtjes daneze, ku Van Persi dhe roben tregohen të pafuqishëm për të konkluduar. I tillë ishte edhe rasti i minutës së 63-të, kur Roben, i vetëm me Anderson, godet fort me kokë, te pika e bardhë e penalltisë, por sërish jashtë. Tensioni shtohet te tulipanët, që vijojnë të krijojnë volum të madh loje, të zhpenzojnë pa fund energji, të kenë edhe raste për shënim, por u mungon “njeriu gol”, për ta shtyrë sferën në rrjetë. Trajneri Marvjik fut edhe dy forca të reja në sulm, si Van der Vart dhe Huntelar, por edhe ata përfshihen në garën kush të humbasë më shumë raste ideale për gol. Holanda rrezikon tashmë gjithcka për barazimin, formacioni i saj është tërësisht ofensiv, duke krijuar hapësira në mbrojtje, ku danezët edhe mund të godisnin sërish. Edhe pse misioni i tyre me kalimin e minutave është një dhe i vetëm: të mbrojnë golin e pjesës së parë.