e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Gomez shpeton Gjermanine, Portugalia eshte e pa fat (VIDEO)

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gomez shpeton Gjermanine, Portugalia eshte e pa fat (VIDEO)
Ka mjaftuar një gol i Mario Gomezit, në minutën e 72-të të ndeshjes, që Gjermania ta nisë me këmbë të mbarë “Euro 2012”. Të besuarit e Johakim Lëvit kanë vuajtur deri diku karshi portugezëve mjaft teknikë të të lëvizshëm, megjithatë ia kanë dalë, duke qenë në njëfarë mase edhe me fat. Sepse trau i portës së tyre është tronditur nga Pepe, ndërsa fundi i lojës ka pasur dy-tri raste të arta për luzitanët, që të barazonin.

Gjermania nuk ka supriza në formacionin e saj. Maja e sulmit i është besuar Mario Gomezit, ndërsa disi më i spostuar pas është Podolski. Ozil vjen gjithnjë me inkursionet e tij nga e majta, duke pasuar topa mjaft të zgjuar për sulmuesit e tij. Mbrojtja ka emrat e katërshes Humels, Boateng, Lahm dhe Bashtuber, ndërsa në qendër të mesfushës shkatërrojnë manovrën ofensive të portugezëve Khedira dhe Shvajnshtaiger. Myller ka fituar duelin me Toni Kros. Ky “mozaik” përbën edhe formacionin e ekuilibruar në të gjitha repartet të “panzerave”.

Portugalia kundërpërgjigjet me të njëjtin modul loje, teksa Ronaldo dhe Nani e “bëjnë me krahë” atë. Dhe në fakt, luzitanët janë ata që krijojnë më shumë raste për shënim, janë më të qartë në daljen nga gjhysmëfusha e tyre, por nuk arrijnë të thyejnë mbrojtjen e mirëvendosur të gjermanëve dhe portierin Nojer. Në një rast, sikurse thamë edhe më lart, është shtylla transversale e Nojerit që i thotë “jo” golit të tyre. Ronaldo është tepër i rrezikshëm nga e majta me driblimet e tij dhe me goditjet nga distanca, duke e detyruar Boatengun, rojen e tij personale, t’i përvishet një pune shumë të vështirë për ta neutralizuar yllin portugez. Po ashtu Nani impenjon seriozisht Lahmin nga e djathta, ndërsa mesfusha luzitane arrin të mbajë nën presion kundërshtarin. Sidomos në aspektin shkatërrues të ofensivës gjermane, teksa Ozil mbetet i vetëm në këtë mision. Gomez dhe Podolski nuk arrijnë të koordinohen si duhet me njëri-tjetrin, duke mbetur larg portës portugeze.

Madje, deri në rastin e shënimit të golit nga sulmuesi i Bajernit të Mynihut, thuajse nuk ishte krijuar ndonjë rrezik potencial në portën kundërshtare. Megjithatë, nëse lojën e ka udhëhequr në përgjithësi Portugalia, me fitore është shpërblyer Gjermania, sepse ka mjaftuar një moment që goleadori Gomez, me kokë, në një pozicion mjaft të vështirë, t’i dërgojë të tijtë në dfeir. Ka reaguar fuqishëm më pas Portugalia, por mbrojtja gjermane dhe Nojer arrijnë ta mbajnë të paprekur portën e tyre. Ndoshta edhe me pak fat, por gjithsesi kanë marrë 3 pikët e para në Grupin B, duke qenë në të njëjtën gjatësi vale me Danimartkën. Portugalia dhe Holanda mbeten në kuotën e zero pikëve, duke qenë një hap pas dy rivalëve të tjerë të “grupit të vdekjes” për të kaluar në gjysmëfinale. Pavarësisht kësaj, beteja në këtë grup duket ende e hapur.

Analiza e skuadrave Kombëtarja e trajnerit Joakim Lëv është cilësuar si favoritja kryesore për të triumfuar në “Euro 2012″, ndonëse është në në grupin “e ferrit”, me kundërshtarë si Portugalia, Holanda dhe Danimarka. Arma më e fortë e gjermanëve është produktiviteti në sulm, cka nuk ra shumë në sy ndaj portugezëve, në fakt. Loja bazohet te shpejtësia (kundërsulmet) e lojtarëve si Myler apo Podolski, finalizimi i Gomezit apo Kloses, por edhe te aksionet me shumë pasime e asiste të zgjuara të Ozilit.

Një kombinim i disa taktikash për të shënuar, duke u përshtatur edhe me filozofinë që ka kundërshtari. Gjermanët kanë arritur të jenë mjaft produktivë para portës në fushatën kualifikuese për të mbërritur në këto finale, ku kanë arritur 10 fitore në 10 ndeshje, ndërsa në gjashtë ndeshjet e fundit radhazi kanë shënuar 13 herë. Gjithsesi, nuk mungonin shqetësimet për teknikun Lëv, pasi reparti i mbrojtjes kishte treguar probleme serioze. Ky repart ka dhënë siguri e shenja mjaft positive ndaj Portugalisë, madje mund të vlerësohet si më i miri në ndeshjen e parë në “Euro 2012”. Në pesë takimet e fundit, prapavija gjermane kishte pësuar plot 10 gola, pesë prej të cilëve ndaj Zvicrës, por nga luzitanëve e kanë mbajtur të paprekur rrjetën e vet, në të kundërt goli i Gomezit s’do të kishte vklera 3-pikëshe.

Sa i përket Portugalisë, Paulo Bento e ka ndryshuar komplet filozofinë e lojës, duke i kthyer të gjithë në mbrojtje dhe duke tentuar golin me kundërsulme dhe me vetëm një sulmues (Postigën) dhe dy mbështetës, Nanin dhe Ronaldon. Kjo u ka dhuruar mundësinë që të zbehin ndjeshëm rrezikshmërinë për të pësuar gol, madje në pesë ndeshjet e fundit, tre prej tyre i kishin përfunduar në barazim pa gola.

Por, ky tregues nënkupton gjithashtu që me taktikën e re zbehet edhe mundësia për të shënuar. Përballë gjermanëve, Portugalia dukej se në radhë të parë mendonte për të mos pësuar, gjëje të cilës ia arriti përgjysmë, sepse u ndëshkua në minutën e 72-të nga Gomez, ndërkohë që krijoi jo pak raste për të shënuar, madje shumë herë më tepër se “panzerat”. Pavarësisht se gjermanët zhvilluan aksione me pasime të shumta dhe topa të infiltruar, mbrojtësit e Portugalisë treguan se janë të fortë fizikisht, jo dhe aq të pasaktë taktikisht, përjashto momkentin e pësimit të golit, kur nuk e mbuluan si duhet sulmuesin kryesor të Gjermanisë.