e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Gjermani-Portugali, Lev: Ne nuk i trembemi askujt

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gjermani-Portugali, Lev: Ne nuk i trembemi askujt
Gjermania do të nisë sot ndeshjen e parë të “Euro 2012″- ës. Rekordmenët e Evropës do të përballen me Portugalinë në një duel prestigji, ku spektakli dhe golat nuk priten të mungojnë. Trajneri Joakim Lëv, një ditë para startit, nëpërmjet strategjive të tij ka përgatitur çdo plan për të dalë fitues jo vetëm nga kjo sfidë, por në të gjitha finalet. Ai paraqet recetat e tij, por nuk ka harruar të ndalet edhe te kualiteti i kundërshtarëve.

Starti - “Erdhi momenti ta nisim furishëm këtë Evropian dhe t’i vëmë në zbatim të gjitha forcat tona. Jemi shumë të lumtur që ky moment starton në Ukrainë. Në këtë kampionat vijmë të përgatitur si nga ana fizike, taktike e mentale dhe, mbi të gjitha, jemi të plotë pa mungesa. Mbartim në vetvete një eksperiencë të suksesshme dhe faza përgatitore na ka bërë t’i projektojmë lehtë planet tona. Ashtu si të tjerat, erdhi momenti që të furnizohemi dhe të tregojmë në fushë atë çka dimë ne të bëjmë. Është hera e tretë për mua dhe këtë herë shpresoj të jetë e vërteta”, – nënvizoi Joakim Lëv, i cili do të zhvillojë si trajner Evropianin e dytë, përveç “Botërorit 2010″.

Formacioni - “Kam një plan të qartë. Kam dalë në përfundime, por do ta shihni para ndeshjes formacionin ndaj Portugalisë. Jam shumë i lumtur që të gjithë do të jenë gati. Si Mertesaker dhe Klose do të jenë gati. Është ndeshja e parë për ne dhe duhet ta nisim mbarë. Jemi të motivuar dhe të karikuar maksimalisht. Secili prej tyre është në formë të shkëlqyer dhe do ta tregojmë gjithçka në fushë”, – u shpreh 52-vjeçari gjerman.

Portugalia - “Kam analizuar me kujdes çdo ndeshje dhe për mua Portugalia nuk është vetëm Ronaldo, edhe pse ai mund të bëjë diferencën edhe i vetëm. Portugalia është një skuadër që mund të ndëshkojë çdokënd, por lojtarët e mi e kanë të qartë se si duhet vepruar në të tilla raste. Portugezët janë të ndëshkueshëm dhe ne do t’i ndëshkojmë”, – përfundoi trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv.

Asistenti i Lëvit: Ja plani ynë ndaj Portugalisë

Duke qenë se Portugalia humbi ndeshjen e fundit ndaj Turqisë, ai ka bashkëpunuar edhe me asistentin turk, Tajfun Korkut, i cili ka nxjerr në pah anët e dobëta të iberikëve dhe ia ka transmetuar edhe ish-trajnerit të tij te Fenerbahçe, Joakim Lëvit. Të njëjtën gjë ka bërë edhe gjermani Hansi Flik, i cili në analizën e tij ka nxjerrë disa detaje evidente. “Portugalia është mjaft elastike me shumë lojtarë individualistë, por sigurish që kanë problemet e tyre. Në skuadër kemi kualitet të lartë por, veç të tjerave, ne do përpiqemi të fitojmë me taktikë. Pavarësisht se Portugalia ka yje futbolli si Ronaldo apo Nani, ne do të përpiqemi të ndalim një kundër një dhe nuk do t’i markojmë gjithnjë dopio. Arma jonë e fuqishme do të jetë kundërsulmi me pasa të sakta, pasi ata nuk kanë mesfushë. I vetmi problem serioz janë goditjet e dënimit në distancë nga Ronaldo, por mos harrojnë që kemi portier Manuel Nojerin. Ne do të përpiqemi t’i nervozojmë me lojën tonë dhe të fitojmë çdo dyluftim. Ofensiva do jetë një tjetër armë e fuqishme e jona, e cila do të zgjidhë ndeshjen”, – analizon asistenti Flik.

Balak: Shvajni, lideri i vërtetë

Ish-kapiteni i Gjermanisë, Mikael Balak, ka besim tek trupa e përzgjedhur nga trajneri Joakim Lëv, sidomos tek zëvendëskapiteni Bastian Shvajnshtaiger. “Lideri i vërtetë i Gjermanisë është Bastian Shvajnshtaiger. Ai është konciz, pozicional dhe për më tepër autoritar në fushë. Kam besim se ata do të shkojnë pa probleme në gjysmëfinale dhe nuk kanë për të falur më, edhe pse gjithçka është e mundshme në një Evropian”, – u shpreh Balak.

Bento: Gjermania favorite Ronaldo: Janë më të mirët!

Trajneri i Portugalisë, Paulo Bento, duket se e ka marrë me frikë ndeshjen e parë kundër Gjermanisë. Gjatë konferencës për shtyp ai ka ngritur në qiell skuadrën e projektuar nga homologu i tij, Joakim Lëv, dhe e cilëson si favorite në këtë duel, por nga ana tjetër beson te forca e lojtarëve të tij, sidomos nga kapiteni Kristiano Ronaldo. “Gjermania është një nga kombëtaret që më ka bindur me kualitetin e tyre. Janë të shpejtë, taktikë dhe funksionojnë në tërësi si skuadër. “Pancerat” i fituan të gjitha ndeshjet në eliminatoret e këtij Evropiani dhe ky është një nga shkaqet pse ata janë favoritë, por nuk duhet harruar që Portugalia ka ditur si të luajë dhe të kalojë fazën në grupe. Megjithatë, forma në fushë do të tregojë se cila skuadër do jetë më e mirë”, – nënvizoi trajneri Bento, ndërsa kapiteni Ronaldo deklaron: “Do të luajmë kundër skuadrës më të mirë në botë. Por, jam i sigurt që, nëse japim maksimumin, i ndëshkojmë ata”.

Mourinjo: “Tifo për Portugalinë

Zhoze Murinjo do të jetë i pranishëm në duelin më të zjarrtë mes Gjermanisë dhe Portugalisë. Përveçse do bëjë tifo për kombëtaren e tij, “Speciali” do ndjekë me vëmendje edhe paraqitjen e pesë futbollistëve të tij. “Është detyra ime të ndjek lojtarët e mi në një moment special. Jam portugez dhe do përkrah kombin tim në këtë duel. Pres shumë prej tyre, edhe pse Gjermania ka formuar një skuadër tepër ambicioze”, – tha Murinjo, i cili do ndjekë Ozilin, Khedirën, Ronaldon, Pepen dhe Koentraon nga stadiumi.

Figo: Një sfidë pa favoritë

Ikona e Portugalisë, Luis Figo, ka mbajtur një qëndrim asnjanës për këtë duel. Pasi dha mendimin e tij, ai i ka thurur elozhe Shvajnshtaigerit dhe trajnerit gjerman, Lëv. “Është një ndeshje e hapur, ku nuk ka favoritë. E nisin si të barabartë, ndaj mendoj se do të jenë detajet ato që do e vendosin fatin e takimit. Ronaldo është më i miri, por Gjermania funksion shumë mirë. Shvajnshtaiger duhet pasur kujdes, ndërsa trajneri Lëv është gjenial”, – deklaroi Figo.

Zbulohet bombë pranë stadiumit

Një predhë e Luftës së Dytë Botërore është gjetur 500 metra larg stadiumit të Lievit, ku mbrëmjen e sotme do të luhet supersfida Gjermani- Portugali. Kjo armë vdekjeprurëse është zbuluar rastësisht nga punëtorët që po vazhdojnë punimet për restaurimin e rrugëve përreth stadiumit. Me të pastruar vendin përreth kësaj predhe, specialistët ushtarakë të çmontimit të këtyre armëve kanë nxjerrë jashtë funksioni armën 60-vjeçare dhe e kanë transportuar atë në një vend të sigurt.

STATISTIKA

♦ 16 herë janë përballur Gjermania dhe Portugalia. Tetë herë kanë fituar “pancerat” dhe tri herë portugezët, ndërsa pesë ndeshje kanë përfunduar barazim. Në Euro 2008 Gjermania fitoi 3-2, ndërsa në Botërorin 2006, 3-1.
♦ Miroslav Klose është golashënuesi më i mirë i formacionit aktual të Gjermanisë, me 63 gola, duke u pasuar nga Podolski me 43 gola.
♦ Ndeshjen e fundit në 2008 e ka drejtuar asistenti Flik, pasi Lëv ishte i pezulluar. Ndaj Portugalisë, Lëv do zhvillojë ndeshjen e 79-të si trajner, teksa ka fituar 53 të tilla. Gjatë kësaj kohe ka nominuar 77 lojtarë, prej të cilëve 52 kanë debutuar. ♦ Që prej Botërorit 2010 ndaj Spanjës (0-1), Gjermania nuk ka humbur asnjë ndeshje zyrtare, madje i ka fituar të gjitha.
♦ Portugalia ka humbur vetëm një në tetë ndeshjet e fundit zyrtare (6 fitore, 1 barazim). Iberikët marrin pjesë për të pestën herë radhazi në fazën në grupe dhe në katër të fundit e kanë kaluar atë.
♦ Kapiten dhe golashënuesi më i mirë për ta është Ronaldo, por shokët e tij të skuadrës te Reali, Ozil dhe Khedira, do jenë kërcënim për të.
♦ Gjyqtar i takimit do të jetë Stefane Lanoi nga Franca. Për të do të jetë hera e parë që gjykon një ndeshje Evropiani. Së fundmi ai ka gjykuar miqësoren mes Gjermanisë dhe Australisë (1-2).