Pirlo: Ja sekreti i 'perlave' te mia
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Klasi i lejon që të ktheje në lojë fëmijësh atë që për shumë futbollistë të tjerë është një mision i pamundur. Andrea Pirlo, mesfushori që Milani “i fali” Juves, rrëfen se për të kthyer në gola goditjet e dënimit është frymëzuar nga lojtarë si Platini, Maradona, Ziko dhe Mihajloviç. Ky i fundit për të ka një meritë të veçantë, pasi “dinte të shënonte nga ecja si me forcë edhe me teknikë”.
Goditja perfekte - Platini, Maradona dhe Sinisha, secili me mënyrën e vet “përkëdhelte” topin dhe “vizatonte” trajektore që frymorët e thjeshtë as që i ëndërrojnë. “Të gjithë meritojnë notën dhjetë”, tregon Pirlo teksa vendos që të zbulojë sekretin e tij. “Shpesh sferën e godas me pjesën e brendshme të këmbës. Hera herës bëj që topi të ulet në një mënyrë të veçantë. Gjithçka varet nga momenti. Varet si ndihem unë. Kujdesem mirë për gjithçka, distancën e murit dhe atë me portën. Nuk kam sekrete të tjera për t’ju treguar. Gjithçka qëndron këtu”, vazhdon mesfushori që për mikrofonat e “Sky Sport” vendosi të tregojë sa di mbi ekzekutimin e goditjeve të dënimit. Edhe pse pendohet dhe kur kupton se nuk ka treguar tërë të fshehtat shton: “Ka të bëjë edhe lëvizja e këmbës. Është një faktor natyral që unë e kam qëkur isha i vogël. Me kalimin e kohës vetëm sa kam perfeksionuar teknikën time”.
“E mallkuara” - Kur ishte një “Djall”, Pirlo shpiku “të mallkuarën”. Goditjen e dënimit me topin që pasi ngjitej sa ngjitej zbriste menjëherë për të “pushuar” në rrjetë. Por, me kalimin e kohës “gjeniu” shpiku të tjera trajektore. Vitin e kaluar përballë Sienës ai braktisi qiellin për tokën. Ai shënoi një gol spektakolar nga një goditje dënimi duke e dërguar sferën poshtë murit “të ngritur” nga toskanët. Pas kësaj “perle”, dikush te Barcelona provoi ta imitonte dhe tha: “Në goditjet e dënimit frymëzohem nga Pirlo”. Ai që ka tha diçka të tillë ishte Leo Mesi.