e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Pep: Do triumfoj me Bajernin si Hejnkesi

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pep: Do triumfoj me Bajernin si Hejnkesi

Mançester Junajtid dhe Pep Guardiola ka një lidhje të ngushtë mes tyre. Trajneri spanjoll dy sukseset e tij madhorë në Champions i ka pikërisht kundër “djajve të kuq”. Në vitin 2009 dhe 2011 Pep Guardiola fitoi si trajner i Barcelonës Champions-in në finale kundër Junajtid në “Romë 2009″ (2-0) dhe në “Uembli 2011″ (3-1). Por, veç këtij triumfi, kanë edhe një lidhje emocionale, sepse Guardiola shihej edhe si pasues i Fergusonit. Gjatë konferencës për shtyp Pep vlerëson maksimalisht “djajtë e kuq” dhe për të nuk vlejnë statistikat, por vetëm forma në fushë.


Z.Guardiola, cila është analiza juaj ndaj Junajtid?


Ne do të luajmë kundër një ndër klubeve më të rëndësishme në botë. Është një ekip me lojtarë cilësorë të klasit botëror dhe, mbi të gjitha, është një skuadër me ide. Është një nder i madh për mua të jem sërish në këtë qytet dhe në këtë stadium. Për herë të fundit si lojtar kam qenë në moshën 21-22 vjeç, kurse si trajner ende jo. (Si lojtar ka qenë 23 vjeç në 1994, 2-2).


Sa i rëndësishëm është Champions-i për ju?


Të teta skuadrat duan ta fitojnë këtë trofe. Për mua nuk është titulli më i rëndësishëm, por trofeu më prestigjioz. Ne do të përpiqemi ta fitojmë. Për këtë jam i sigurt. Bajerni që prej 1976-ës e ka fituar dy herë këtë trofe. Ne do të përpiqemi të mbajmë nivelin që na dha Jup Hejnkes për të vazhduar më tej. Shpresoj të triumfoj si ai.


Në Nju Jork u takuat edhe me Fergusonin. Ju bëri ofertë për Mançesterin?


Ai më ftoi në një restorant super. Kur ai flet shpejt anglisht është i vështirë për t’u kuptuar. Ndoshta për këtë shkak nuk e kam dëgjuar ose kuptuar mirë, nëse ma ofroi ose jo (qesh).

Të qenit favoritë, a është problem për ju?


Askujt nuk i pëlqen të shihet si favorit, por mua më duhet ta pranoj. Sezonin e kaluar Bajerni fitoi gjithçka. Kemi fituar titullin 7 javë para, prandaj është gabim të thuash që ata janë favoritë. Por, kjo pak rëndësi ka, sepse Junajtid me lojtarë si Runi, Ferdinand, Vidiç, Gigs, Uellbek e Çikarito janë në gjendje të na ndëshkojnë në dy ndeshje. Momenti i vërtetë është kur gjyqtari t’i fërshëllejë bilbilit. Në këtë moment duhet të tregojmë në ç’nivel jemi.


Sa do të ndikojë mungesa e Tiagos dhe a do të qëndrojë Kros?


Mua më pëlqen që një lojtar kur luan, mendon se është më i miri në botë. Ai është një futbollist që bën diferencën. Është një problem mungesa e tij, por ne kemi treguar që nuk varemi nga një lojtar. Unë u besoj edhe aftësive të lojtarëve të tjerë. Shvajnshtaiger ka eksperiencën e duhur. Bajerni nuk fiton nga një lojtar, por nga një bashkësi e tërë forcash. Kros ka një kontratë dhe uroj që të rinovojë. Unë ia kam transmetuar planet e mia klubit. Nuk jam menaxher. Di të them se Kros është një lojtar që monopolizon topin. Ai është një kontrollues dhe “qitës” shumë i mirë.

Parashikoni të drejtoni një klub anglez?


Jam i sigurt që do të jem sërish trajner i Bajernit, sepse tashmë jemi shpallur kampionë. Nuk kam plane të tjera për momentin.