'Jemi si Robin Hudi, do e thyejme Barcen'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Atletiko e Madridit ka qenë “pengesa” e paparashikuar e Realit të Madridit dhe Barcelonës në kampionat, duke kryesuar renditjen aktualisht. Ndërkohë, në Champions do përballen sërish me katalanasit, këtë herë për çerekfinalet e kompeticionit prestigjioz. Edhe pse me buxhet dhe prestigj më të ulët se rivalët, ata nuk dorëzohen, madje shprehin besim për t’u kualifikuar.
Diego Kosta Sulmuesi kryesor i skuadrës madrilene ka lënë përgjysmë stërvitjen e djeshme të skuadrës dhe është larguar në prani të mjekëve të ekipit. Ai ka pasur dhembje në kavilje dhe ka shqetësuar jo pak trajnerin Diego Simeone, duke qenë në dyshim për t’u aktivizuar.
Tiago Mesfushori e cilëson skuadrën e tij si Robin Hudi. “Ne jemi një klub shumë popullor, pasi pjesa më e madhe e njerëzve identifikohen dhe na shohin si frymëzim. Nuk jemi një klub i pasur sa të tjerët, por luftojmë si të barabartë dhe fitojmë ndaj tyre. Ne jemi “Robin Hudi” i futbollit. Kemi bërë një punë të shkëlqyer deri tani, por duhet të vazhdojmë deri në fund, duke qenë se na pret edhe pjesa më e rëndësishme”, tha ai. “Kam luajtur dy herë në çerekfinalet e Championsit dhe e di vështirësinë, gjithsesi ne jemi të aftë ta mundim Barcelonën. Sigurisht që do shkojmë për fitore në ‘Kamp Nou’”, deklaroi Tiago.
Diego Simeone “Nuk mund të përgjigjem se si e cilësojmë veten para kësaj ndeshje. Po të them që jemi favoritë për të fituar, do fillojnë të thonë që janë mendjemëdhenj. Nëse them që nuk jemi favoritë, do thonë që bëjmë si viktima. Unë dua që skuadra ime të jetë e motivuar maksimalisht dhe të japë më të mirën në fushën e lojës”, u shpreh trajneri i Atletikos. “Jam i shqetësuar për Diego Kostën. Kam përshtypjen se nuk do jetë i aftë për të qenë në fushën e lojës. Ai është shumë i rëndësishëm për ne, njësoj si Ronaldo te Reali apo Mesi te Barcelona”, shtoi argjentinasi.
Sa i përket faktit që do përballet me një trajner bashkatdhetar, tha: – “Rëndësi ka që një teknik argjentinas do shkojë në gjysmëfinalet e Champions- it dhe kjo është diçka pozitive për imazhin e trajnerëve të vendit tonë”. Në fund, ai foli për duelin me katalanasit: – “Do jetë shumë e vështirë, sidomos ndeshja e parë. Jam i sigurt që Barça do kërkojë të sigurojë kualifikimin që në këtë sfidë, duke tentuar një fitore bindëse. Ne duhet të përmirësojmë nga presioni i tyre për të marrë një rezultat pozitiv në shtëpi, duke ruajtur qetësinë. Në Champions, gabimi më i vogël të kushton shumë, ndaj ne duhet të jemi perfekt. Nuk mund t’i lejojmë vetes që të shpërdorojmë mundësi shënimi para portës. Duhet përfituar nga çdo rast që mund të krijohet. E dimë që nuk jemi aq të pasur apo prestigjiozë sa rivali, por njëkohësisht e dimë edhe se jemi të aftë të kualifikohemi për në raundin tjetër”, përfundoi Diego Simeone.