Përfaqësuesi i TKZ: Takimi në UEFA, vetëm Shqipëria e përçarë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pak ditë më parë është bërë një takim nga UEFA në lidhje me tifozëritë e organizuara të vendeve pjesëmarrëse në Europian.
Institucioni i futbollit ka financuar këtë organizim në mënyrë që të ketë një trajnim dhe sensibilizim të të gjithë përfaqësuesve të grupimeve të tifozërive dhe federatave të vendeve pjesëmarrëse në "Francë 2016".
Ky seminar është drejtuar nga FSE "Football Supporters Europe" (Organizata e grupimeve të tifozëve që financohet nga UEFA), e cila ka bërë një ftesë për mbështetësit ultras të Kombëtares shqiptare, "Tifozat Kuq e Zi".
Gazeta "Panorama Sport" ka kontaktuar me përfaqësuesin e këtij grupimi në këtë takim, i cili ka preferuar që të ruajë anonimatin dhe të flasë vetëm si një nga anëtarët e TKZ-së, pa e personalizuar bisedën.
Është bërë një takim nga UEFA për grupimet e tifozërive në të cilin keni qenë të ftuar edhe ju...
Më saktësisht takimi është organizuar nga FSE (Football Supporters Europe), e cila mbështetet nga UEFA. Po, ne si grupim jemi anëtarë të kësaj shoqate të tifozëve europianë dhe ne kemi përfaqësuar tifozët shqiptarë në këtë takim ku kanë qenë edhe përfaqë- sues të federatave nga vendet pjesëmarrëse në Europian. Jo vetëm kaq, por edhe në seminaret e mbajtur për organizimet e tifozëve janë përdorur foto të organizimeve që ne kemi bërë në stadiume. Ishte ndjesi e bukur, përballë grupimeve të tjera ultras.
Ju keni qenë së bashku me FSHF-në?
Kjo është një nga gjërat që më ka bërë më së shumti habi dhe më ka bërë të ndihem keq përpara shumë të tjerëve që ishin aty. Ndryshe nga të gjithë, vetëm ne shqiptarët nuk ishim bashkë. Unë nuk isha pranë përfaqësuesit të FSHF-së dhe kjo jo për fajin tim, por se edhe kur kërkova ta takoj atë (përfaqësuesin e federatës), më bëri me shenjë që nuk mundej dhe më tha që mund ta takoja më vonë. Ndërkohë që mund të them se përfaqësuesit e grupimeve të tjera të tifozërive kanë qëndruar në të njëjtin hotel me përfaqësuesit e federatës dhe janë mbështetur shumë nga ata.
Ju nuk jeni përkrahur nga FSHF në këtë rast?
Jo. Dua të falënderoj në emër të grupimit Ambasadën Franceze në Tiranë që më ka ndihmuar me vizën. Vetëm kaq mund të them. Ju them edhe që në hollin e hotelit ku u zhvillua konferenca pashë De Biazin me disa zyrtarë të federatës. Ishte i vetmi që u ngrit nga tavolina dhe më përshëndeti.
Çfarë u diskutua?
Kishte çështje të ndryshme, një prej të cilave ishte edhe ajo e shpërndarjes së biletave dhe unë mora një konfirmim të drejtpërdrejtë në sallë nga përfaqësues të UEFA-s, atë që edhe ju si gazetë e keni bërë përpara disa kohësh: Shpërndarja e biletave, është e drejtë e federatave dhe UEFA nuk ka ndërhyrë në asnjërën prej tyre. Kam pyetur gjithashtu se si ka mundësi që të ketë kategorizime në tre tipa tifozësh për përfitimet në "Fan Club"- in e FSHF-së dhe si përgjigje kam marrë vetëm supe të ngritur me habi që nuk më kanë thënë asnjë fjalë.
A janë vendosur piketa rreth organizimit të tifozëve në Francë gjatë këtij takimi?
Po, janë diskutuar shumë çështje. Ne (një përfaqësues i TKZ-së) do të jemi ambasadorët e shqiptarëve në Francë.
Çfarë do të thotë kjo?
Aty u kërkua që të ngrihen ambasada tifozësh. Pra, një përfaqësues që në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në çdo vend t'u vijë në ndihmë të gjithë bashkëkombësve gjatë Europianit në shtetin francez.
Sa nga anëtarët e grupimit "Tifozat Kuq e Zi" do të jenë në Francë për të ndjekur ndeshjet?
Mund të them që në Francë besoj se do të jenë të gjithë, por në stadiume nuk di të them numrin e saktë se sa kanë arritur të garantojnë biletë. Kjo sepse ata e kanë siguruar vetë me anë të aplikimit në UEFA biletën dhe jo nga federata. Për këtë mund t'ju them edhe se nuk e kemi vendosur ende nëse në ndeshjet e Kombëtares do të jetë baneri ynë tradicional, duke qenë se biletat janë siguruar personalisht nga anëtarët.