Elseid Hysaj, mes yjeve që i mungojnë Ligës së Kampionëve
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Është sezoni i tij i parë te Napoli, megjithatë ai ka arritur të imponohet në formacionin e parë të kësaj skuadre. Nëse në fillim ishte Sarri që këmbënguli ta kishte në "valixhet" e tij nga Empoli drejt skuadrës që synon kreun në Serinë A, tashmë është vetë mbrojtësi shqiptar që meriton të jetë në fushë.
Në 27 sfida të zhvilluara në kampionatin italian, Elseid Hysaj ka nisur në secilën prej tyre që nga minuta e parë dhe ka munguar në vetëm njërën prej tyre, ndërsa është zëvendësuar vetëm dy herë.
Në një përzgjedhje që është bërë nga mediat franceze, futbollisti i Kombëtares është mes futbollistëve që meritojnë të jenë në Ligën e Kampionëve, në bazë të paraqitjes që kanë bërë. Futbollisti i Napolit është në 11- shen e parë të kësaj përzgjedhjeje, ndërkohë që ka edhe të tjerë lojtarë që janë renditur si alternativa për të qenë në stolin rezervë.
Me atë që ka treguar në Serinë A dhe në ndeshjet e Europa Ligës me napolitanët, mbrojtësi kuqezi është imponuar me formën dhe tij dhe është cilësuar si mbrojtësi i djathtë i formacionit të yjeve që i mungon kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube.
Shkodrani 22-vjeçar është një garanci e shtuar për formacionin e De Biazit në Europian "Francë 2016", me sigurinë dhe maturinë që ka shfaqur në përballjet e rëndësishme të Napolit si përballë skuadrave të mëdha në kampionat, ashtu edhe në sfidat e vlefshme për Europa Ligë.
Në këtë formacion, në portë është Matia Perin (Xhenoa), Elseid Hysaj (Napoli), Mats Humels (Dortmund), Xhon Stons (Everton), Jan Vertongen (Totenhem), Denis Suarez (Vijareal), Lasana Diarra (Marsejë), Domeniko Berardi (Sasuolo), Dimitri Pajet (Uest Hem), Riad Mahrez (Lestër), Aubamejang (Dortmund).
