Perezi e deshi që vjet Alegrin, por shkarkimi i Benitezit prishi planet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Masimiliano Alegri është një nga kandidatët kryesorë, të cilët mund të marrin drejtimin e pankinës së Realit të Madridit, në pritje të sezonit të ardhshëm.
Trajneri livornez i Juventusit është një prej atyre që vlerësohet më shumë nga stafi, por, mbi të gjitha, nga vetë presidenti i "galaktikëve", Florentino Perez. Edhe pse nga Torino, drejtori Xhuzepe Marota përgënjeshtron se ka kontakte mes Realit dhe Alegrit, Perez mësohet se ka pasur një bisedë të gjatë telefonike me mikun e tij, Adriano Galiani, administratorin e deleguar të Milanit.
Ky i fundit ishte ai që i besoi dhe e solli Alegrin nga provinca, pra nga stoli i Kaljarit, në elitën e futbollit italian, europian dhe botëror, sepse i tillë është klubi kuqezi.
Mbi të gjitha, Galiani ishte ai që këmbëngulte te presidenti Silvio Berluskoni që të mos e largonte nga Milani, pavarë- sisht rezultateve të dobëta. Prandaj, kontakti telefonik Galiani-Perez ka bërë që presidenti i Realit të Madridit të bindet dhe të nisë një sulm ndaj Alegrit, duke i vënë këtij të fundit në dispozicion një klub të madh, por natyrisht edhe një thes me miliona për t'u përdorur në merkaton e verës. Natyrisht që kur zërat nisin të qarkullojnë, diçka mbrapa fshihet.
Perezi e donte që vjet
Ndërsa këto janë lajmet e fundit që sjell media italiane, ajo spanjolle zbulon se Masimiliano Alegri ishte objektivi kryesor për marrjen e drejtimit të Realit të Madridit, që në verën e kaluar.
Sezoni fantastik që livornezi 48- vjeçar bëri me Juventusin vjet e mahniti miliarderin spanjoll, por kur ai mësoi për shkarkimin e Rafael Benitezit nga Napoli dhe faktin se ndoshta një trajner spanjoll do të ishte më i mirë sesa një tjetër italian, pas Karlo Ançelotit, Perez ndërpreu kontaktet me Alegrin dhe firmosi me "Rafën", ndonëse bashkëpunimi zgjati më pas sesa faza e parë.
Alegrit i ofrohet rinovimi
Duke pasur frikën se Reali, Çelsi, apo edhe klube të tjera mund t'ia rrëmbejnë Masimiliano Alegrin në fund të këtij sezoni, drejtori i Juventusit, Xhuzepe Marota, i ka ofruar rinovimin trajnerit, një kontratë të re deri në vitin 2019, me një rritje pagë që do të prekë 4.9 milionë eurot në sezon, dyfishi i asaj aktuale.
Madje, duke iu referuar rrjetit "Sky", "Konti Maks" mund të ketë mundësinë që ta firmosë këtë kontratë, pas ndeshjes me Bajernin e Mynihut, pas dy javësh.