Kristiano Ronaldo: Ja goli që më mungon
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Duke përfituar nga prezantimi i par fumit të tij të ri, me reklamën e xhiruar në aeroportin e Madridit, Kristiano Ronaldo ka përfituar nga rasti për t'u dhënë disa minuta edhe mediave të pranishme.
Kampioni portugez është ndalur te sezoni i turbullt sivjet, ndeshja e kthimit me Romën në Champions, sekreti i tij dhe goli i ëndrrave të tij.
Ronaldo, po kaloni një sezon të turbullt, ku shumë objektiva ju kanë rrëshqitur nga duart. Tani ju mbetet vetëm Champions-i, apo jo?
Po kalojmë një sezon të vështirë në kampionat dhe nga kupa jemi eliminuar tashmë, por siç e kam thënë edhe herë të tjera, jemi ende në Champions. Dhe pa dyshim, është ky kompeticioni në të cilin do të investojmë të gjitha forcat tona. Fundja, nuk është një koincidencë që Reali i Madridit është klubi që ka fituar më shumë se kushdo tjetër Champions-in. Ne besojmë se mund t'ia dalim, sepse asgjë nuk është e humbur. Po punojmë dhe do vazhdojmë të punojmë fort për të fituar diçka në fund të këtij sezoni.
Me Romën thuajse jeni të kualifikuar, apo jo?
Në Romë bëmë një ndeshje të mirë. Atë të kthimit e nisim me një avantazh mjaft të mirë, por në futboll nuk duhet të qëndrosh i qetë asnjëherë. Edhe në takimin e kthimit duhet të luajmë mirë, të fitojmë, sepse vetëm kështu e kemi të sigurt se nuk do të dështojmë. E ritheksoj, dua të fitojmë Ligën e Kampioneve.
Prej 10 vitesh jeni në vitrinën e futbollit botëror. Cili është sekreti juaj?
Dedikimi i vazhdueshëm dhe vullneti i njëjtë që vë çdo ditë. Vitet kalojnë, por unë ndjek gjithmonë të njëjtën linjë, prandaj në jetën time asgjë nuk ka ndodhur thjesht për një koincidencë të fatit. Nëse nuk punon çdo ditë që të përmirësohesh, talenti vlen zero, prandaj prej 10 vitesh kam këtë formë fantastike, thuajse gjithnjë të njëjtë. Unë përfaqësoj Realin e Madridit dhe idetë e mia ecin në të njëjta shina me ato të klubit. Prandaj, unë punoj që të fitoj trofe për skuadrën dhe individualë, sepse vetëm kështu mund t'i bëj të lumtur tifozët e Realit dhe ata personalë.
Keni shënuar shumë gola, por cili është ai që ende nuk e keni realizuar. Goli që ëndërroni të shënoni një ditë?
Ëndërroj që të festoj një gol pasi t'i kem dribluar të gjithë kundërshtarët e mi, të 11-të. Një gol "alla Play-Station". Mendoj se është thuajse i pamundur për t'u realizuar, por ku i dihet..
Përgatiti: JETON STAMOLLA