Peralta mposht Kamerunin, Meksika e nis mbare
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skuadra e Migel Herrerës mposht afrikanët dhe siguron tre pikët e para në një grup shumë të vështirë, pasi në takimin tjetër luan ndaj Brazilit
Jeton Selimi
Meksika fiton të parën, merr tre pikë dhe mbërthen Brazilin në krye të grupit A.
Amerikano-qëndrorët luajtën një 90 minutësh më të mirë sesa rivalët e Kamerunit, ndërsa arritën të shënojnë një gol të vetëm me anë të Peraltës në minutën e 61-të të takimit dhe e ruajtën me fanatizëm deri në fund të sfidës, për të siguruar një triumf që ka shumë vlera në një grup mjaft të vështirë, ku Kroacia do të rivalizojë deri në fund, pa përjashtuar ndonje befasi të Kamerunit.
Meksika është më e organizuar, madje shënoi dy herë në pjesë të parë, të dy të anuluar, po në golin e parë gjyqtari Vilmar Roldan nga Kolumbia, u hyri në hak meksikanëve, pasi kishim të bënim me një gol të rregullt.
Me kalimin e minutave Kameruni nis të rritet disi, por sidoqoftë latinët janë me më shumë dëshirë.
Pjesa e parë përfundon 0-0, ndërsa në të dytën loja bëhet më e shpejtë dhe Meksikanët zbresin më lirshëm.
Kameruni bën gabime të shumta në mesfushë dhe në markimin një për një, aq sa në minutën e 61-të, pas një këmbënguljeje të gjatë, do të jetë Oribe Peralta ai që do të godasë saktë me portierin Itandje të pafuqishëm për të reaguar, 1-0 dhe meksikanët festojnë.
Trajneri Herrera do të largojë autorin e golit nga fusha dhe hedh sulmuesin e Mançester Junajtid, Havier Hernandez, për më shumë freski dhe kjo manovër nuk e lejon për t’u hedhur në sulm Kamerunin, pasi duhet ta mbajë mbrojtjen e tij të brishtë në gatishmëri.
Por afrikanët, me Eto’o të izoluar në sulm, janë të pafuqishëm për të kthyer fatet e takimit.
Mbaron 1-0, tre pikë për Meksikën që tani fillon të ëndërrojë kalimin e turit.
Meksikë- Kamerun 1-0
Shënues: Peralta 61’
Meksika: Oçoa, Aguilar, Lajun, Moreno, Markez, Rodrigez, Herrera, Vaskez, Dos Santos, Peralta (Hernandez 74’), Guardado (Fabian 69’)
Trajner: Migel Herrera
Kameruni: Itandje, Xhegue (Nonkeu 45’), Asu-Ekoto, Song (Uebo 79’), N’Kulu, Shejdu, Mukanxho, Mbia, Eto’o, Enoh, Çupo-Moting
Trajner: Volker Finke
Gjyqtar: Vilmer Roldan
Kartela të verdha: Moreno/ Nonkeu
Spektatorë: 38958
