e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Pelegrini: Nuk luajmë për barazim, gjysmëfinalet arritje për Sitin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pelegrini: Nuk luajmë për barazim, gjysmëfinalet arritje për Sitin

Manuel Pelegrini ka një bindje të madhe në prag të duelit mes Sitit dhe PSG-së. Sipas trajnerit kilian të ekipit të Mançesterit, kurrsesi skuadra e tij nuk duhet që të futet në fushë për të marrë një barazim pa gola. pelegrini"Nëse do të luanim për 0-0, atëherë do të eliminohemi. Ne jemi një ekip që luan në sulm dhe gjatë të gjithë ndeshjes kërkon golin. Nëse do të mundoheshim që të mbronim atë çfarë arritëm në Paris nuk do të ishim vetvetja", tha 62-vjeçari.

Favoritët

Gjatë fjalës së tij, "inxhinieri" i Sitit pranoi se barazimi me gola, i arritur në duelin e parë mes dy ekipeve, nuk do të thoshte asgjë. Sipas tij, asnjë formacion nuk ishte favorit për të kaluar për më tej. "Nuk mund të flasim për favorite, pasi asnjëra prej skuadrave nuk ka marrë një rezultat të kënaqshëm në takimin e parë. Ne do të mundohemi që ta mundim PSG-në në fushën tonë përballë tifozëve tanë", tha Pelegrini.

Arritja

Si për të konfirmuar faktin që flitet për një ekip që ka shumë pak eksperiencë në Kupat e Europës, trajneri i Sitit pranoi se një vend mes katër më të mirave të kontinentit do të ishte motiv për t'u mburrur për atë. "Do të ishte një mrekulli nëse do të shkonim mes katër më të mirave të Europës. Nëse ia dalim, atëherë do të synojmë finalen, sigurisht që nuk do të kënaqeshim me pjesëmarrjen në gjysmëfinale", pohoi Pelegrini.

Të dëmtuarit

Sot, në "Etihad Stadium" zbret që nga minuta e parë Jaja Ture. Mesfushori që u mungon "qytetarëve" prej tri javësh duket se është rikuperuar dhe do të jetë gati që ta nisë takimin si titullar. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Kun Agueron, i cili ka kaluar në kohë rekord dëmtimin që pësoi në sfidën me Uest Bromuiç Albionin.