Pas barazimit në Pukë, priten gjoba te Partizani
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani u tregua hija e vetvetes në transfertën e Pukës. Ndonëse përballeshin me vendin e fundit, të besuarit e trajnerit Agostineli nuk arritën që të shkonin më shumë se një barazim 0-0.
Paraqitja e së shtunës ka lënë një shije të hidhur, kryesisht te dashamirësit e skuadrës që sakrifikuan deri në Pukë. Skënderbeu nuk arriti që ta shfrytëzonte asistin që i dha Tërbuni të shtunën, kështu që barazimi i djeshëm i korçarëve është konsideruar si ngushëllim për "demat".
Burime të ndryshme pranë klubit bëjnë me dije se priten të merren masa për lojtarët, pasi paraqitja me Tërbunin nuk i shkon për shtat një ekipi që pretendon titullin kampion. Mësohet se klubi do të marrë masa ndëshkimore ndaj lojtarëve për paraqitjen zhgënjyese që bënë ndaj Tërbunit.
Me shumë mundësi, klubi pritet t'i gjobisë lojtarët për atë që treguan në Pukë. Por kjo mund të jetë edhe taktikë presioni ndaj futbollistëve para derbit me Tiranën, ku fitorja tashmë është kthyer në detyrim për të kuqtë.
Ndoshta lajmi për të gjobitur lojtarët mund të jetë edhe si një metodë kamuflazhi për të zbutur zemërimin e tifozëve, të cilët s'e kanë kapërdirë barazimin 0- 0 me Tërbunin. Premiot dhe gjobat te Partizani praktikohen në mënyrë diskrete, pasi kur bëhet fjalë për çështje financiare, klubi nuk preferon të bëjë asgjë publike. Gjithsesi, paraqitja e "demave" në Pukë meriton analizë të thellë, kuptohet nëse duan që të dalin kampionë.