Partizani, premio për çdo fitore
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani nis fazën e katërt në vendin e dytë, katër pikë larg Skënderbeut kryesues. Të kuqtë kanë besim të plotë se në nëntë ndeshjet e mbetura mund t'ia arrijnë qëllimit duke u shpallur kampionë, titull i cili mungon që nga sezoni 1992-1993.
Në këto kushte kërkohet një Partizan perfekt, që nuk duhet të lërë asnjë pikë në takimet e mbetura. Për të pasur një skuadër të motivuar mësohet se drejtuesit do të bëjnë të pamundurën që t'i karikojnë lojtarët në përballjet e mbetura.
Një nga metodat që ka nisur të aplikohet që në javët e fundit të fazës së tretë është vendosja e shpërblimeve të majme për çdo fitore. Presidenti Demi, i cili mbeti i kënaqur edhe nga paraqitja e ekipit në barazimin ndaj Skënderbeut, vendosi që t'u japë shpërblimin prej 15 eurosh, i përcaktuar në rast fitoreje. Më pas erdhi premio për fitoren në Durrës, ku të kuqtë përfituan rreth 30 mijë euro.
Të kuqve nuk do t'u mungojë motivimi financiar edhe për sfidat e mbetura të sezonit, ku çdo fitore do të shpërblehet nga presidenca e kuqe. Premiot do të përcaktohen në varësi të ndeshjeve dhe situatave ku do të gjendet ekipi në këtë pjesë të fundit të kampionatit.
Burime të ndryshme pranë klubit bëjnë me dije se nuk do të ketë shpërblim më të vogël se 5 mijë euro për fitore. Futbollistët e Partizanit dhe stafi teknik e kanë vetë në dorë që të sjellin suksesin e munguar prej më shumë se dy dekadash në kryeqytet, por njëkohësisht që të përfitojnë edhe më shumë në aspektin financiar. Titulli i "demave" varet edhe nga ecuria e Skënderbeut, i cili deri para përballjes direkte në javën e parafundit, duhet të humbasë një pikë karshi Partizanit.