e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Partizani kalon nga Mbrojtja tek Ekonomia, del ne ankand

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani kalon nga Mbrojtja tek Ekonomia, del ne ankand
Problemet ligjore që ka pasur gjatë këty re viteve skuadra e Partizanit do të marrin fund sot. Ministria e Mbrojtjes, e cila ka marrë nën administrim klubin më të madh dhe me më shumë tifozë në vendin tonë, gjatë kësaj periudhe ishte duke punuar për të përpiluar dosjen e kalimit të këtij klubi në një shoqëri aksionere, në të cilën mund të blejë aksione çdo individ që është i shoqëruar. Gjatë ditës së djeshme, mësohet se specialistët e kësaj ministrie i kanë dhënë fund dokumentacionit të ekipit të kuq dhe sot zyrtarisht dosja do të shkojë në Ministrinë e Ekonomisë, ku pritet që stema dhe emri i Partizanit të dalin në shitje.

Burime të besueshme pranë Ministrisë së Mbrojtjes kanë bërë me dije se, tashmë gjithçka është përfunduar, por nuk kanë dhënë detaje, nëse emrit dhe stemës i janë bashkangjitur edhe asete të tjera, të cilat do të privatizohen së bashku me to. Gjithsesi, i rëndësishëm është fakti, që shumë shpejt skuadra e Partizanit, e cila kryeson edhe Grupin B në Kategorinë e Dytë do të ketë investitorë të rinj.

Regjistrimi Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve (QKR) logoja dhe emri i skuadrës së Partizanit, do të regjistrohet si “Futboll Klub Partizani sh.a” duke bërë edhe një ndryshim nga Shoqëria Aksionere, që është aktualisht në pronësi të Albert Xhanit dhe Paro Laçit. Kjo është e regjistruar në QKR si “Shoqëria Tregtare Partizani sh.a”. Ky është edhe ndryshimi juridik që ka bërë Ministria e Mbrojtjes, në mënyrë që presidenti aktual i Partizanit, Albert Xhani, të mos ketë më asnjë pretendim në lidhje me shoqërinë e re tregtare, e cila do të themelohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe që do të administrojë skuadrën e Partizanit në të ardhmen, duke e shkëputur atë përfundimisht nga presidenti Xhani.

Logoja me probleme, mund të ketë ndryshime

I vetmi problem që Ministria e Mbrojtjes mund të ketë me themelimin e “Futboll Klub Partizani sh.a” është stema e klubit, e cila është e regjistruar më parë me Shoqërinë Tregtare të themeluar nga Albert Xhani, si dhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Markave të Patentave. Në këtë drejtim regjistrimi mund të hasë probleme, pasi çështja nuk është zgjidhur ende në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit do të rishqyrtojë vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, në të cilin gjyqtari Iliri Çeliku i la stemën dhe emrin Shoqërisë Tregtare ku është administrator Albert Xhani.

Xhani

Albert Xhani, që pretendon se ka pjesën më të madhe të aksioneve, është ankuar në FIFA dhe UEFA. Ai pretendon se FSHF-ja dhe Ministria e Mbrojtjes po veprojnë në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare, duke mos njohur dokumentacionin që ai disponon si pronar i këtij klubi dhe i logos së “demave”.

Terrenet

Pronarët e ardhshëm që pritet të blejnë aksionet e Partizanit pasi të dalë në treg, do të duhet të sigurojnë edhe terrenet e përhershme se ku do të vendoset klubi legjendar. Momentalisht, të kuqtë janë pa një seli fikse, pas largimit nga ambientet e mëparshme, të cilat përfunduan në pronësi të pronarëve të tokës.