Partizani, humbja ne derbi sjell pasoja, trajneri Lika jep doreheqjen
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Hasan Lika nuk është më trajneri i Partizanit. Lajmi është zyrtarizuar dje nga klubi kryeqytetas nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku sqarohet se si kishte qenë vetë trajneri që kishte dhënë dorëheqjen pas humbjes në derbi, kërkesë e pranuar nga presidenca e klubit. “Pas rezultatit dhe lojës zhgënjyese në ndeshjen e djeshme, trajneri Hasan Lika i ka paraqitur dorëheqjen presidentit Gazment Demi, i cili e ka pranuar atë”, shkruhet në komunikatën me të cilin klubi i Partizanit komunikoi ndryshimet në drejtimin e skuadrës.
“Trajneri Lika ka sqaruar se ky vendim është i nevojshëm për t’i hapur rrugë ideve dhe zgjidhjeve të reja në drejtimin e skuadrës, që është në një moment kyç të sezonit futbollistik. Klubi e mirëkupton këtë vendim të trajnerit Hasan Lika dhe e falënderon atë për kontributin e deritanishëm në drejtimin e skuadrës. Lika do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit në një pozicion tjetër të rëndësishëm në strukturat e tij. Me pranimin e dorëheqjes së Likës, drejtuesit e klubit kanë nisur menjëherë konsultimet për përzgjedhjen e trajnerit të ri”, shkruhet në këtë komunikatë.
Gjatë ditëve në vijim, skuadra do të drejtohet nga Klevis Dalipi, i cili gjatë kësaj periudhe kishte shërbyer si ndihmës i Likës në drejtimin e të kuqve. Ndërkohë, ish-trajneri do të jetë pjesë e sektorit teknik të Partizanit, me kompetencat e tij të reja që do të caktohen vetëm në ditët në vazhdim. Brenda javës do të mësohet edhe emri i trajnerit të ri, pasi drejtuesit po shqyrtojnë disa kandidatura të ndryshme.