Tirana-Partizani, Derbi i lavdise
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana mban frymën, Shqipëria shikon. Sot në orën 18:00 në tapetin e “Qemal Stafës” zbresin dy ekipe, dy legjenda që rivalizojnë historikisht njëra-tjetrën. Stadiumi mitik do të rëndohet shumë pasi do të zbresin plot 83 tituj. Kryeqyteti merr jetë, sheshet mbipopullohen dhe rrugët gumëzhijnë nga koret e shumta të dyja tifozërive përkatëse. Mirësevini në derbin historik të kampionatit shqiptar Tirana-Partizani.
Fanellat hijerënda që mbartin me vete triumfin dhe sakrificat, lavdinë dhe dështimin përplasen sot vetëm për një qëllim…fitoren. Është një ndeshje në të cilën edhe kur humbet duhet ta mbash kokën lart, duhet të jesh krenar dhe mbi të gjitha ta dashurosh akoma më shumë skuadrën. Kjo ndeshje është nga ato, ku ka rëndësi vendi apo gjendja në të cilën ndodhen skuadrat. Strategët Magani dhe Lika janë duke përgatitur 11 luftëtarët që do të hedhin në fushën e lojës, sepse e tillë është kjo ndeshje…
Duhet luftuar në çdo cep të fushës, duhet fituar çdo dyluftim, çdo përplasje për të arritur rezultatin pozitiv. Luhet për fanellën, për nderin, për lavdinë e këtyre ngjyrave që janë simbol i futbollit shqiptar. Është një ndeshje në të cilën duhet të japësh gjithçka për stemën e fanellës që ke në zemër. Ajo këtë herë vlen më shumë se emri pas shpine. Nëse shënon bëhesh menjëherë idhulli i tifozërisë, ndërsa palën tjetër e ke bërë “armike” të përjetshme. Situata në të cilën ndodhen skuadrat është e pazakontë. Partizani që deri përpara ndeshjes me Kukësin shihej si një ekipi që rivalizonte për titull, ndërsa Tirana lufton për mbijetesë.
Më shumë sesa lavdia në këtë ndeshje duhen edhe pikët të cilat janë shpëtimi i vetëm për të dyja skuadrat. Tirana mbi të gjitha është e dënuar për të arritur fitore nëse do t’i largohet zonës së ftohtë. Pas merkatos së ngjeshur dhe afrimeve të shumta që dy ekipet kanë bërë, tani është momenti të tregojnë vlerat në fushën e lojës. Barazimet që morën në dy ndeshjet e para i japin akoma më shumë vlerë dhe rëndësi kësaj ndeshjeje në të cilën do synohet fitorja e parë për fazën e dytë të kampionatit.
