Partizani, Sukaj bëhet gati për Flamurtarin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Java stërvitore e Partizanit për transfertën e Vlorës nuk nisi mbarë për skuadrën e trajnerit Andrea Agostineli, pasi dy sulmuesit kryesorë kishin probleme dëmtimesh.
Mesjava e ka përmbysur situatën te Partizani, pasi dyshja sulmuese Sukaj-Raçiç është përmirësuar dhe pritet të grumbullohet me ekipin për takimin e së dielës me Flamurtarin.
Situata është më premtuese për Xhevahir Sukajn, i cili gjatë përgatitjeve të djeshme ka treguar se e ka kaluar lëndimin që mori gjatë përplasjes me Arjan Shetën në takimin Laçi-Partizani. Me atë që është vërejtur dje në stërvitjen e të kuqve të kryeqytetit, parashikohet që bomberi shkodran të jetë titullar ndaj kuqezinjve. Edhe Stevan Raçiç ka shfaqur përmirësime, kështu që gjasat janë që edhe serbi të grumbullohet nga trajneri Agostineli për sfidën e javës së 29-të të kampionatit.
Duke ditur se kampionati ka hyrë në fazën finale, drejtuesit e kuq kanë kërkuar mobilizim total nga ekipi, pasi vetëm duke marrë maksimumin në çdo ndeshje mund të realizohet objektivi madhor, titulli kampion. Sukaj është golashënuesi më i mirë i Partizanit në këtë sezon, gjatë të cilit ka shënuar 12 gola.
Partizani pret shumë nga shkodrani në këtë pjesë të mbetur të kampionatit dhe të gjithë shpresojnë që në tetë ndeshjet e mbetura të kenë në dispozicion Xhevahirin e fillimit të sezonit. E pakta që ndodh me Partizanin kur shënon Sukaj, është sigurimi i një barazimi, por kësaj radhe luftohet vetëm për fitore ndaj Flamurtarit.
Formacioni
Në fund të seancës së djeshme, e cila u zhvillua paradite në Kamzë, të kuqtë kanë zhvilluar edhe një ndeshje kontrolli brenda grupit. Trajneri Agostineli provoi disa skema loje, si dhe piketoi edhe formacionin e mundshëm për Flamurtarin. Për këtë fundjavë rikthehet nga pezullimi Filipe Gomes, i cili së bashku me Bathën pritet të formojnë qendrën e mesfushës.
Nga ajo që u pa dje u la të kuptohet se ndryshimet nuk do të jenë të dukshme nga sfidat e fundit. Në Vlorë mund të ketë një rrotacion në mbrojtje mes Krasniqit dhe Bicajt. Gjithsesi, është ende herët për të folur se kush do të jetë Partizani që do të sfidojë Flamurtarin në Vlorë.
Përgatiti: Ilir Cara