Parma ne duart e nje shqiptari, Petrit Doka do te jete pronari i ri i ekipit italian
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Petrit Doka do të jetë presidenti i ri i klubit italian të Parmës. Pas shumë tratativash ku u përfol edhe emri i Rezart Taçit më në fund është zgjidhur çështja se kush do të jetë pronari i ri i emilianëve. Doka është një sipërmarrës i njohur në fushën e argjendarisë dhe biznesin e tij e ka të përqëndruar në Itali dhe në Qipro. Petrit Doka i lindur në Tiranë në mars të vitit 1971 jeton prej vitesh në gadishullin apenin dhe zotëron nënshtetësi italiane.
Në fakt marrëdhëniet e 43 vjeçarit me atë për të cilin u spekulua se mund të merrte në dorëzim Parmën Rezart Taçin janë mjaft të ngushta duke qënë se Doka më parë ka administruar kompaninë “Taçi Oil Italia”, dhe kjo ka bërë që menjëherë mediat italiane të ngrejnë dyshimin se prapa biznesmenit të argjendarive fshihet pikërisht Rezart Taçi.
Të premten do të zhvillohet edhe ceremonia zyrtare në ambientet e stadiumit “Enio Tardini” ku stafeta do të kalojë nga Girardi tek Petrit Doka. Skuadra dukale aktualisht ndodhet në krizë të plotë rezultatesh ku mban vendin e fundit në renditje me vetëm 6 pikë të grumbulluara. Tifozët emilian shpresojnë që me ardhjen e Dokës situata të ndryshojë dhe kjo kriza e thellë të marrë fund për një nga ekipet me jo pak emër në kampionatin italian të futbollit