Parlamenti rus therret Kapelon te jape llogari per Boterorin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri i Rusisë, Fabio Kapelo, është në telashe. Italiani është thirrur nesër në Parlamentin rus, së bashku me drejtuesit e Ministrisë së Sporteve dhe të Unionit futbollistik, për të shpjeguar dështimin e kombëtares ruse në Botëror dhe projektet e tij për të ardhmen. Lajmin e ka bërë të ditur deputeti Igor Ananskikh, shef i Komisionit të Sportit i Dumës.
“Don Fabio” ka përfunduar në shënjestër të shtypit rus dhe të botës politike, edhe për rrogën e tij të lartë: sipas medieve vendëse, ai përfitoi 5-6 milionë euro në sezon në kontratën e parë 2-vjeçare të nënshkruar deri në vitin 2012 dhe 8-9 milionë euro në vit me rinovimin e ri të nënshkruar në janarin e shkuar deri në vitin 2018. Vit që Rusia do të presë pikërisht Botërorin e radhës.
Dje në Dumën ruse, dhoma e ulët e parlamentit rus, lideri ultra-nacionalist Vladimir Zhirinovski e ka quajtur “hajdut” Kapelon, ndërsa senatori Pakholkov, ka kërkuar që trajneri t’i dorëzojë të gjitha, ose të paktën gjysmën e 800 milionë rublave (më shumë se 17 milionë euro) të marra deri tani për një rezultat “të turpshëm”.
Një ditë pas eliminimit nga Botërori brazilian, Kapelo, i cili ka nisur menjëherë pushimet, u justifikua: “Me këtë skuadër arritëm në Botëror për herë të parë pas 12 vjetësh. Mendoj se kam punuar mirë deri tani dhe më vjen keq që nuk arritëm të vazhdonim përpara”.