e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

4 supersfidat e cerekfinaleve

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
4 supersfidat e cerekfinaleve

Kanë mbetur dhe më pak se dy javë nga përfundimi i Botërorit dhe sa më shumë afrohemi drejt finales së 13 korrikut aq edhe më interesante dhe të forta bëhen përballjet midis skuadrave. Të tilla pritet të jenë edhe ndeshjet çerekfinale të Kupës së Botës “Brazil 2014”. Në këtë fazë përballjet midis Gjermanisë dhe Francës apo Brazilit me Kolumbinë pritet të dhurojnë spektakël në fushë, pasi skuadrat do të kërkojnë me çdo kusht kalimin për në gjysmëfinale. Gjithashtu, Argjentina me Belgjikën dhe Hollanda kundër Kosta Rikës priten me interes nga tifozët e futbollit në mbarë botën.

Derbi i Europës

Franca dhe Gjermania do të luajnë më 4 korrik ndeshjen e parë çerekfinale të këtij Botërori në stadiumin “Maracana” me një kapacitet mbi 74 mijë vendesh. Të dyja skuadrat kanë luajtur plotë 25 herë kundra njëra-tjetrës dhe janë gjelat francezë ata që udhëheqin me më shumë ndeshje të fituara në përballjet midis tyre. 11 fitore për Francën, 8 për Gjermaninë dhe 6 barazime është bilanci i ndeshjeve të luajtura midis dy ekipeve elitare të futbollit ndërkombëtar. Gjithësesi, edhe pse më pak ndeshje të fituara, gjermanët kanë shënuar 42 gola, një më shumë se francezët në 25 ndeshjet e zhvilluara së bashku.

Skuadra e Joachim Low ka qënë pretendente për tu shpallur kampion këtë edicion që në fillim të tij, ndryshe nga djemtë e Didier Deschamps të cilët janë vendosur në listën e skuadrave pretendente pas fazës në grupe ku ekipi tregoi një formë të shkëlqyer.

Por nëse do të marrim për bazë disa prej statistikave të ndeshjeve të zhvilluara deri më tani është Franca ajo që edhe pse me një distancë të vogël është favorite për të kaluar në fazën tjetër. Francezët kanë shënuar 10 gola dhe kanë pësuar vetëm 2 në katër ndeshje të luajtura, ndërsa gjermanët kanë shënuar 9 here dhe kanë pësuar 3 gola në katër ndeshje.

Gjithësesi, këto statistika mund të tregojnë shumë pak në krahasim me atë se çfarë pritet të dhurojë në fushë “derbi europian”.

Përballja Neymar- Rodriguez

Një tjetër ndeshje e cilia pritet me shumë interes është edhe ajo midis vendasve të Brazilit dhe Kolumbisë.

Dy skuadrat latine janë përballur 25 herë me njëra-tjetrën dhe natyrisht është Brazili ai që udhëheq me 15 fitore kundrejt 2 të Kolumbisë, ndërsa 8 ndeshje kanë përfunduar në barazim. Në letër janë vendasit ata që shikohen si gjysmëfinalistët e parë, por në fushë situata mund të jetë totalisht e ndryshme.

Brazili ka shënuar 8 gola dhe ka pësuar 3, ndërsa Kolumbia ka shënuar plotë 11 herë dhe ka pësuar vetëm dy gola në katër ndeshje të zhvilluara.

Interesante do të jetë edhe përballja midis yllit brazilian Neymar dhe atij kolumbian James Rodriguez. Sulmuesi i Barcelonës pritej të ishte talenti i këtij botërori, por ai është eklipsuar nga performanca e jashtëzakonshme e treguar nga Rodriguez. 22 vjeçari kolumbian ka shënuar 5 gola në katër ndeshje, një më shumë se Neymar, duke kryesuar deri më tani listën e golashënuesëve të këtij botërori. Gjithësësi, ndeshja e 4 korrikut midis dy skuadrave pritet të vendosë se kush prej dy lojtarëve do të vazhdojë të mbetet në garë për tu emëruar si golashënuesi i “Brazil 2014”.

Argjentina e Messit vs Belgjika e Hazard

Vetëm 4 herë janë përballur midis tyre Argjentina dhe Belgjika, dhe janë latinët ata që kanë fituar 3 ndeshje ndërsa europianët e Belgjikës vetëm 1. Një ndeshje e cila sheh si favorite dy herë kampionët e botës për shkak të historisë së tyre por edhe prej lojtarëve që kanë në përbërje të dyja ekipet.

Belgjika ndodhet në momentin e saj më të mirë pasi ka arritur të krijojë një grup lojtarësh të rinj, të cilët pavarësisht mungesës së eksperiencës në të tilla kompeticione janë plotë energji dhe dëshirë për shkuar sa më lartë në këtë botëror. Eden Hazard konsiderohet si lider i skuadrës belge prej të cilit pritet shumë në këtë ndeshje edhe pse lojtari i Chelseas nuk ka gjetur ende rrugën e rrjetës në katër takimet e zhvilluara.

Nga ana tjetër është Lionel Messi ai që duket se e ka marrë përdore Argjentinën me synimin për të arritur në finalen e madhe. Ylli i Barcelonës ka shënuar deri më tani 4 gola duke qënë vendimtar në ndeshjet që skuadra tij ka luajtur në këtë Kupë Bote.

Surpriza Kosta Rika

Kjo do të jetë përballja e parë e parë midis Hollandës dhe Kosta Rikës, e cila pavërësisht parashikimeve nuk pritet të jetë e lehtë për tulipanët. Në fillim të këtij kompeticioni askush nuk mendonte së në Grupin D ku ndodhej Italia, Anglia, Uruguaj dhe Kosta Rika, do të ishte pikërisht kjo e fundit skuadra që do ta udhëhiqte atë. Fitorja 3-1 ndaj Uruguajt të Luis Suarez, ishte surprise për ndjekësit e futbollit, megjithatë suprizat e skuadrës së Amerikës Qëndrore nuk do të përfundonin me kaq. Katër herë kampionët e botës, Italia, do të poshtëroheshin në humbjen 1-0 ndaj Kosta Rikës, duke ndryshuar totalisht renditjen në Grupin D. Në ndeshjen e fundit kundër Anglisë, skuadra e drejtuar Jorge Luis Pinto, edhe pse kishte siguruar kualifikimin në fazën tjetër nuk u treguan neglizhentë por arritën ti merrnin anglezëve një pikë në përballjen e tyre.  Pas fitores me penallti ndaj skuadrës ballkanike greke, Kosta Rika ndodhet tashmë në çerekfinale përballë skuadrës së Louis Van Gaal.

Në mendjet e hollandezëve është ende e qartë ajo mbërmje e finales së Kupës së Botës katër vjet më parë në Afrikën e Jugut kur u eleminuan nga Spanja. Është një prej skuadrave më të mira në të gjithë botën dhe ka pasur në përbërjen e saj lojtarë të cilët kanë ngjitur majat e futbollit ndërkombëtar, megjithatë tulipanët nuk kanë mundur të realizojnë ende ëndrrën e madhe për tu shpallur kampion në një botëror. Arjen Robben është duke përjetuar suksesin e formës së shkëlqyer të tij fizike duke shënuar 3 gola në katër ndeshjet e zhvilluara në “Brazil 2014”. Gjithësesi, ndeshja e 5 korrikut kundër Kosta Rikës nuk pritet të jetë e lehtë për Hollandën.