Neymar, domosdoshmeri psikologjike per Brazilin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një komb i tërë mund të marrë frymë lirisht pasi është konfirmuar që Neymar do të dalë në fushë në sfidën e Brazilit ndaj Kolumbisë, që do të zhvillohet të premten në “Fortaleza”, në orën 22:00. Federata braziliane ka shuar dyshimet në lidhje me gjendjen e yllit të Barcelonës, i cili ngeli i dëmtuar gjatë ndeshjes kundër Kilit. Pas goditjeve që pësoi në gju dhe në kofshë, Neymar nisi një trajtim të specializuar i cili dha rezultatet e duhura. “Patjetër që do të jetë në formacion”-u shpreh drejtori i zyrës së shtypit të Selecaos, Rodrigo Paiva.
Për Brazilin prezenca e Neymar është e domosdoshme dhe në nivel psikologjik, arsye kjo që lojtar i nuk mund t’ia lejojë vetës të pushojë pikërisht në fazën e eliminimit direkt. Neymar është pika kryesore e referimit për Brazilin që synon të fitojë botërorin. Loja do të tregojë nëse mbrojtja kolumbiane do t’i rezistojë sulmit të Neymar. 4 gola në 4 ndeshje është një rezultat mbresëlënës për sulmuesin e 5 herë kampionëve të botës, Neymar, i cili gjatë një prononcimi për mediat braziliane ka bërë të ditur se për të nuk ka gjë më të rëndësishme se fitimi i kampionatit botëror të futbollit. “Nuk dua të jem lojtari më i mirë apo kryegolashënuesi i këtij turneu. Gjithçka që dëshiroj është Kupa e Botës. Kam ëndërruar gjithmonë për të dhe pak rëndësi ka se si arrijmë deri aty. E dua këtë trofe më shumë se çdo gjë.
Dua të jap ndihmën time për skuadrën, duke shpresuar se kjo ëndërr do të mbyllet me Brazilin kampion”. Talenti i Barçës vijoi duke rrëfyer edhe emocionet e ndjera gjatë ndeshjes me Kilin. “Kam luajtur i qetë dhe pa frikë. Kur ndjen frikë, atëherë dëshira për të fituar të largohet. E dinim që do të luanim përballë një skuadre të madhe, por ne ishim të vendosur për të shkuar në çerekfinale dhe ja dolëm”-, përfundoi lojtari të cilit i është besuar fati i një kombi, i cili në historinë e tij i është gëzuar 5 herë fitimit të kampionatit botëror.