Palermo zgjedh Ujkanin, Zamparini: Eshte e ardhmja
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqiptari do të jetë përsëri titullar i sicilianëve në Serinë A
Samir Ujkani është portieri i parë i Palermos dhe këtë sezon do të jetë ai titullari i kësaj skuadre në Serinë A. Konfirmimin e ka dhënë dje presidenti i Palermos, Mauricio Zamparini, i cili është i bindur se portieri shqiptar ka po aq vlerë sa Sorrentino, i cili kërkohet nga Juventusi. “Sorrentino na ka kushtuar shumë po të merret parasysh mosha. Ai është 35 vjeç dhe nuk mund të cilësohet si e ardhmja e Palermos, në përbërje kemi një portier tjetër shumë të zotë, i cili quhet Samir Ujkani dhe është e ardhmja jonë”, deklaroi Zamparini për “Corriere Dello Sport”. “Ndoshta Sorrentino po sheh rreth e rrotull, por nëse ndokush e kërkon, duhet të paguajë për të. Nëse do të qëndrojë këtu, duhet që të shërbejë pak si ndihmë për të rinjtë dhe të qëndrojë në pankinë. E nesërmja jonë është Ujkani, besojmë tek ai dhe duam ta ndihmojmë të rritet. Ideja jonë është që kur dy lojtarë kanë një vlerë të barabartë, aktivizohet më i riu”, u shpreh ai rreth portierit shqiptar. Duket se këtë besim, drejtuesit e Palermos ia kanë shprehur Ujkanit, i cili bashkë me menaxherin e tij, Alberto Fontana, është ulur gjatë ditëve të fundit në tavolinën e bisedimeve me klubin për të rinovuar kontratën e tij. Ujkani u transferua në Itali falë Palermos, klub që e bleu për rreth 200 mijë euro nga Anderleht në vitin 2007. Kontrata e tij aktuale me sicilianët përfundon me 30 qershor të vitit 2015.