e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Pakult 'ngel' Ervin Skelen te Lajpcigu i kategorise se katert

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pakult 'ngel' Ervin Skelen te Lajpcigu i kategorise se katert
Ervin Skela dështon në provën për të siguruar një kontratë te Red Bull Lajpcig, skuadër që militon në kategorinë e katërt gjermane (Regionalliga Nord). Pak kohë më parë, mesfushori i Kombëtares shqiptare shihej si një përforcim i mundshëm i skuadrës në Saksoni, por vetë 34-vjeçari ka mohuar gjithçka, duke thënë se aty vetëm stërvitej. Vlonjati kishte bërë të ditur se e shfrytëzonte ekipin për të ruajtur formën fizike, në pritje të ofertave më të rëndësishme. Megjithatë, “Bild” bëri të ditur se fantazisti kuqezi ka qenë në provë, megjithatë, ai nuk ka bindur trajnerin Peter Pakult.

 “Trajneri vazhdon të kërkojë një mesfushor ofensiv. Ervin Skela, që gjatë sezonit të kaluar luajti tek Arka Gdynia në Poloni është testuar në skuadër, por nuk e bindi stafin teknik”, theksonte tabloidi gjerman. Ashtu si një vit më parë, vlonjati po vuan për të gjetur një skuadër për të vazhduar karrierën si profesionist. Gjatë sezonit të kaluar, ai e kaloi gjysmën e parë të edicionit vetëm duke u stërvitur, përpara se të transferohej në Ekstraklasan polake tek Arka. Pavarësisht kësaj, Skela cilësohet si një element mjaft i rëndësishëm për Kombëtaren shqiptare. Mungesa e 34-vjeçarit ul nivelin e lojës ofensive të Shqipërisë dhe trajneri Josip Kuzhe do ta rikthejë në skuadër për ndeshjet me Francën dhe Luksemburgun në Euro 2012.