Paguan 18.200 , Flamurtari i shpëton penalizimit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Klubi i Flamurtarit i shpëton në limit një tjetër dënimi nga FIFA. Bëhet fjalë për borxhin prej 18.200 eurosh ndaj ish-mbrojtësit Bllazho Rajoviç, që ka qenë pjesë e kuqezinjve tre sezone më parë.
Lojtari kishte paditur klubin në FIFA dhe kjo e fundit i kishte dhënë të drejtë për kontratën, e cila ishte zgjidhur në mënyrë të njëanshme nga klubi vlonjat. Pas paralajmërimeve, FIFA i vendosi ultimatum Flamurtarit se kishte vetëm një javë kohë për të shlyer futbollistin malazez, në të kundërt do të penalizohej me -3 pikë.
Burime zyrtare në FSHF treguan dje për "Panorama Sport" se drejtuesit e Flamurtarit mbyllën procedurat brenda afatit, duke iu shmangur në këtë mënyrë një tjetër dënimi me -3 pikë nga FIFA. Kujtojmë që në muajin janar të këtij viti institucioni më i lartë i futbollit në botë ekzekutoi një vendim për heqjen e tri pikëve nga klasifikimi për klubin vlonjat, me motivin se nuk kishte paguar në kohë kroatin Toni Pezo.
Edhe pse sipas klubit pagesa ishte kryer në ditën e fundit të ultimatumit të vendosur nga FIFA, kjo e fundit nuk e mori parasysh dhe dënoi Flamurtarin. Tashmë pas shtyrjes së Rajoviçit, një tjetër hall për kuqezinjtë mësohet se është shlyerja e ish-sulmuesit maqedonas, Aleksandar Bajevski, i cili ka luajtur për vlonjatët në sezonin 2010-2011. Edhe ky i fundit ka fituar gjyqin në FIFA dhe Flamurtari i detyrohet 47.800 euro.
Sipas drejtuesve të klubit kuqezi, në total borxhi i mbartur për mospagesa ndaj ish-trajnerëve dhe ish-lojtarëve shkonte afërsisht 500 mijë euro dhe një pjesë e mirë tashmë është shlyer. Që pas rastit të Pezos, klubi duhet të paguante në total edhe 150 mijë euro borxhe, në mënyrë që të shmangte penalizimet. Administratori Idrizi ka kërkuar mbështetjen e bashkisë për shlyerjen e kë- tyre detyrimeve, por kjo e fundit nuk i ka njohur borxhet