Krenar për Partizanin, kujdes ju që po verboheni nga ylli
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ikona e basketbollit të Partizanit dhe Shqipërisë, Agim Fagu, ishte promotori i festës madhështore të 70-vjetorit të klubit, kështu që mbrëmja e djeshme u hap me fjalën e tij përshëndetëse.
Në fjalimin e tij, Fagu bëri një përshkrim të shkurtër të historisë, sukseseve dhe misionit të Partizanit në sportin shqiptar dhe në arenën ndërkombëtare. Fillimisht, ai e nisi me një homazh për ish-sportistët e Partizanit që nuk jetojnë më dhe më pas bëri një kronologji të historisë dhe rezultateve të Partizanit.
Sipas Agim Fagut, klubi themelet e para i nisi me emrin "Ushtrija", ndërsa në prill të 1946-ës u kristalizua emri "Partizani", i cili u krijua me djem e vajza që përfaqësonin thuajse të gjitha shtresat dhe rrethet e Shqipërisë.
Fagu në fjalën e tij dha edhe arsyet pse duhet të ndihen krenarë me historinë 70- vjeçare të Partizanit, si dhe në fund foli diçka edhe për polemikat e hapura së fundmi për yllin me pesë cepa në fanellë. "Partizani lindi si një klub i ushtrisë, por u kthye si universitet i sporteve në Shqipëri.
Ylli i Partizanit i ndriçoi sportistët që mbajtën veshur fanellën e kuqe, ndërsa ata me mundin e tyre e skalitën më shumë këtë simbol. Dashuria për klubin e Partizanit ekziston në çdo anë të Shqipërisë dhe pas elektrifikimit të vendit ylli me pesë cepa hyri brenda çdo familjeje shqiptare. Ylli i Partizanit po u verbon sytë disave, por kujdes mos ju verbojë mendjen se do të mbeteni përjetësisht qesharakë", u shpreh mes të tjerave Agim Fagu.