Pa kapiten kundër Laçit, Gjergj Muzaka drejt gradimit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tiranës i mungojnë "gradat" kundër Laçit. Pa Ervin Bulkun, Gentjan Muçën (të dëmtuar që të dy) dhe Erando Karabecin (e pezulluar prej kartonëve), bardheblutë zyrtarisht nuk do të kenë një kapiten në fushë. Dhe detyrimisht për këtë javë duhet që të zgjidhet një futbollist që të mbajë shiritin.
Gjasat janë që këtë status ta ketë Gjergj Muzaka, duke ditur që pjesa tjetër e organikës janë lojtarë të ardhur vetëm gjatë verës apo të huaj.
I vetmi që ka kredite, përveç Muzakës, është edhe Dorian Kërçiku. Mirëpo, për efekt moshe dhe përvoje, i mbetet të parit detyra që të bëjë kapitenin kundër kurbinasve.
Zyrtarisht pritet që kjo të vendoset para ndeshjes, megjithatë kreditet më të mëdha i ka pikërisht Muzaka. Ky kundërshtar ka shënjuar jo pak karrierën e mesfushorit, sidomos në dy sezonet e fundit. Kujtojmë që ai u dëmtua pikërisht në Laç, në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Pas një mungese të gjatë dhe muajve riaftësim, rikthimi përkoi pikërisht ndaj kurbinasve. Muzaka zbriti në fushën e blertë më 9 nëntor 2015, kur luajti 12 minuta nga fundi. Dhe rastësia bën që pikërisht kundër Laçit të marrë edhe shiritin e kapitenit, në mungesë të tre lojtarëve që kanë këtë "gradë".