Takim në bibliotekë, Cungu projekton Vllazninë e re
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në Shkodër sot do të zhvillohet një takim i rrallë. Gjatë pasdites, në bibliotekën "Marin Barleti", Armando Cungu do organizojë një mbledhje, ku të pranishëm do të jenë futbollistët, drejtuesit dhe gazetarët shkodranë.
Me iniciativën e tij personale, ai dëshiron që t'u injektojë lojtarëve të tij se çfarë fanelle mbajnë në lëkurë. Ndonëse nuk jepen shumë detaje, kjo kuptohet qartazi edhe në mesazhin që tekniku shkodran u ka dërguar mediave, ku edhe i fton.
"Përshëndetje! Ju bëj me dije se për sportistët dhe stafin e Vllaznisë ditën e enjte, datë 7 prill 2016, në bibliotekën e qytetit 'Marin Barleti', në orën 18:00, kam organizuar një takim enkas për Vllazninë.
Ku do të kemi mundësi të njihemi me personazhet dhe vlerat historike të një qyteti, ngjyrat, shpirtin dhe emrin e të cilit ne ngjeshim në lëkurën tonë. U ftoj dhe Ju, mir'ardhshi! Armando Cungu", shkruante trajneri në SMSnë dërguar gazetarëve. Cungu duket se e ka pasur prej kohësh në mendje këtë gjë dhe vetëm sot pritet që ta vendosë në zbatim.
E ardhmja - Edhe pse vetë trajneri i kuqebluve nuk ka dashur që të zbardhë tematikën kryesore të kësaj mbledhjeje në bibliotekë, mësohet se do të diskutohet gjerë e gjatë jo vetëm për të shkuarën e artë dhe për situatën aktuale, por dhe për të ardhmen.
E ftuar speciale do të jetë edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila "de jure" është dhe presidente e këtij klubi. Pritet që kjo e fundit, në bashkëpunim me stafin teknik, të flasë edhe për Vllazninë e re.
Gjithashtu pritet që të flitet për problemet e vijimësisë së klubit shkodran dhe për politikat që do të ndiqen si nga drejtuesit e klubit dhe stafi teknik për pozitat aktuale. Vetë trajneri do të flasë për planet e tij, ndërsa drejtuesit e klubit për mbështetjen që do t'i jepet sidomos në aspektin financiar.
Me sa duket që tani drejtuesit e kuqebluve kanë filluar që të mendojnë ndryshe për ekipin e sezonit të ri. Nëse prej vitesh ky klub i madh dhe me emër po vuan, duke rrezikuar edhe rënien, ideja është që në të ardhmen të rikthejnë Vllazninë e madhe. Duket se këtë herë projekti do të jetë serioz, për të ringritur emrin e kuqebluve.