Nuk ka plan fiks rikthimi, Roben dhe Boateng në ajër
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sa i rëndë është dëmtimi i Arjen Robenit? Kur parashikohet të rikthehet mesfushori holandez i Bajernit? Dilema ka shumë, por përgjigje finale jo.
32-vjeçari mbeti i dëmtuar në ndeshjen ndaj Dortmundit në kampionat më 5 mars dhe prej asaj dite bavarezët kanë mall e nostalgji për "magjitë" e Robenit.
Gjatë një interviste për "Kicker" Roben shprehet i shqetësuar, por nuk dorëzohet duke shpresuar rikthimin brenda sezonit.
"Më vjen shumë inat, pasi u riktheva në formë dhe isha gati për ndeshjet vendimtare. Unë nuk dorëzohem kurrë. Po punoj fort për t'u rikthyer brenda sezonit. Por, nuk ka ende një plan fiks rikthimi", shprehet Roben në "Kicker".
Për shkak të problemeve muskulore, Roben humbi dy finalet e 1/8-ave, si dhe dy të çerekfinaleve të Champions-it. Gjithashtu, ai do të humbasë edhe gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Verder Bremenit më 19 prill. Ndërkohë, sipas informacioneve të "Sport1", nga dëmtimi i ndërlikuar i tij nuk përjashtohet as humbja e këtij sezoni.
Plan konkret rikthimi nuk ka as për Zherom Boatengun. Teksa u pyet për rikthimin e mundshëm ndaj Hertës më 23 prill, ai shprehet skeptik: "Vështirë!" Parashikohet që ai të jetë në gjysmëfinale të Championsit më 26-27 prill.