Klop: Të gjithë kishin vënë bast se do të humbnim 4-0
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Më shumë sesa ndeshja çerekfi nale mes Borusias së Dortmundit dhe Liverpulit, nata e djeshme ishte paralajmëruar e bujshme dhe e bukur për rikthimin e Jurgen Klopit si kundërshtar në "Signal Iduna Park", por në fund, edhe fati deshi që gjithçka të ndahej në paqe mes palëve dhe çështja e kualifikimit të vendosej pas një jave, në "Anfiedl Road", në Liverpul.
Gjithsesi, barazimi i djeshëm është një rezultat më se pozitiv për të kuqtë, duke qenë se goli në fushën rivale mund të vlejë vetë kualifikimin. Edhe pse shumëkush kishte menduar se Dortmundi do ta kishte shumë të lehtë, në të vërtetë gjermanët u shpëtuan nga një gol i Humelsit, i cili shmangu disfatën.
I emocionuar dhe i lumtur për paraqitjen e bërë, trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, është i sigurt se tashmë skuadra e tij ka shanse për kualifikim.
"Që Dortmundi është një skuadër e një niveli të lartë kjo kuptohet qartë duke parë sezonin e tyre, por edhe ne patëm shumë momente pozitive gjatë ndeshjes, aq sa me pak më shumë fat mund të ishim kthyer në shtëpi me fitoren, e cila nuk do të kishte qenë e tepërt për ne", bëri hyrjen e tij në konferencën për shtyp, Klop.
Jurgen, e prisnit ju një barazim në këtë çerekfinale të parë, duke parë ndjesitë e pragsfidës?
Jam i ndërgjegjshëm se përpara se ky takim të luhej kishte shumë nga ato zëra që ishin gati të vinin bast se ne do të kishim pësuar 2, 3, madje 4 gola në Dortmund dhe ndoshta s'do të kishim arritur që të shënonim asnjë. Por për shumë minuta arritëm ta menaxhojmë në mënyrën e duhur Dortmundin dhe mendoj se ishim brilantë në këtë raund të parë.
Liverpuli e ka rritur ritmin e lojës që ku ju keni ardhur, por çfarë mungon ende për të qenë më kompetitiv?
Nuk besoj se skuadra është shumë larg asaj çfarë unë kërkoj. Duhet thjesht që të gjejmë balancën e disa lëvizjeve në fushë, falë të cilave jo vetëm do të dimë të mbrojmë më mirë, por edhe që të shënojmë me më rregullsi. Shpresoj që këto që kërkoj t'i vëmë në zbatim edhe më mirë në ndeshjen e kthimit, sepse duke parë atë çfarë bëmë në Dortmund, kam bindjen se mund të kualifikohemi ne për në gjysmëfinalet e Ligës së Europës.
Orixhi ishte një zgjedhje surprizë. Pse luajti ai në sulm?
Kjo ndeshje ishte e prerë për Divokun. Ai është një lojtar që di të luajë mirë mes hapësirave, të mbrojë dhe të godasë topin në zona të ngushta. Jam i lumtur për atë dhe për gjithçka dha në fushë.
Tifozët e Dortmundit ju pritën shumë ngrohtë, apo jo?
Ishte gjithçka shumë e bukur. Fillimisht duartrokitjet respektuese përpara se ndeshja të fillonte, më pas disa kore gjatë takimit. Më shumë se kaq nuk mund të prisja. Jam i mrekulluar.
Keni humbur Hendersonin, cila është gjendja e tij?
Më vjen keq për Xhordanin, sepse për ne është një humbje e madhe. Një dëmtim në gju nuk është asnjëherë një lajm i mirë, por shpresojmë që përgjigjet e analizave të nesërme (sot) të jenë pozitive për futbollistin dhe për ne.
Përgatiti: JETON STAMOLLA