Cungu mban leksion, u tregon historinë shkodrane futbollistëve
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Armando Cungu u tregon historinë shkodrane futbollistëve të Vllazninë. Në takimin e zhvilluar dje në bibliotekën "Marin Barleti", trajneri është munduar që t'u injektojë të tijve vlerat që mbart ky qytet në tërësi, jo vetëm në sport, por edhe në fusha të tjera.
Përveç lojtarëve e familjarëve të tyre, në këtë aktivitet të quajtur "Shkodra e Vlerave" nuk munguan drejtuesit Gjyrezi e Grima, si dhe kryebashkiakja Voltana Ademi.
I pari që mori fjalën ishte drejtori i bibliotekës, Gjovalin Çuni, i cili për 45 minuta foli për historikun e qytetit, duke nisur nga luftërat, artit në tërësi, bashkëjetesa fetare dhe mbi të gjitha sporti. Pa dyshim në fokus ka qenë "Vllaznia", Shoqëria e parë kulturore sportive në vendin tonë. Fanella me peshë e saj, që sot nuk është aty ku i takon.
Nuk hezitoi që të fliste edhe kryebashkiakja Ademi, e cila tha: "Ky është një takim mjaft interesant, pasi u vlen të gjithëve. Për ju lojtarët është nder që luani për këtë emër të madh. Ne kemi nisur një rrugë dhe mendoj se deri më tani jemi aty ku duhet. Besoj se në takimin me Teutën të vijojmë me rezultate pozitive dhe në finish t'i bëjmë mbyllje dinjitoze këtij sezoni". I fundit që mbajti referatë ishte vetë trajneri, pikërisht edhe iniciatori i këtij aktiviteti.
"E kisha prej kohësh në mendje që të bëja këtë aktivitet, që në Ulqin madje, kur ishim në janar. Dua që të implementoj te çdo lojtar dëshirën për këtë klub dhe fanellë. Ideja ishte që të ngacmoja ndjenjën e gjithsecilit, por edhe përgjegjësinë që ka kjo fanellë. Para çdo takimi një gjë e tillë do të kishte vlera. Ky aktivitet do të na shërbejë edhe para Teutës.
Shpresoj që lojtarët ta kenë vlerësuar maksimalisht një gjë të tillë dhe, për më tepër, të vlerësojnë këtë emër dhe të dinë ta ngrenë Vllazninë sa më lart. Shpresoj dhe besoj se ky sezon të jetë i fundit që Vllaznia përpëlitet në këto vende të rënies nga kategoria. Pas pesë sezoneve lëngim, të gjithë së bashku mund ta rikthejmë këtë emër të madh në majat e futbollit", ka thënë Armando Cungu para të pranishmëve. Lojtarëve u ka shërbyer jo pak gjithçka u tha, madje kanë qenë vetë Vrapi, Sefa e Arbri që e vlerësojnë këtë leksion. Madje, shfaqin bindje se ky takim u ka shtuar adrenalinën para Teutës.
Përgatiti: Admir Uruçi