e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Novara 'blindon' Ujkanin dhe mendon Bogdanin per sulmin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Novara 'blindon' Ujkanin dhe mendon Bogdanin per sulmin
Novara mund të shndërrohet në strehën e një “mini-kolonie” shqiptarësh në Serinë A. Në skuadrën piemonteze, që këtë vit do të luajë në elitën e futbollit italian për herë të parë pas 55 vjetësh, përveç Samir Ujkanit mund të luajë edhe Erjon Bogdani. Klubi ka konfirmuar se do ta mbajë me çdo kusht portierin e Kombëtares shqiptare, madje duke mos lejuar që Palermo ta rimarrë, ndërsa në merkato po shqyrton mundësinë të afrojë sulmuesin kuqezi.

Pas spekulimeve disajavore, Novara ka vendosur t’i japë fund të gjithë zërave, duke “blinduar” Ujkanin. Drejtuesit e klubit kanë bërë të ditur se numri 1 nuk do të largohet, madje as nëse ai kërkohet nga Palermo (që zotëron gjysmën e kartonit), si zëvendësues i Sirigusë. Drejtori sportiv i Novarës, Mauro Pederxoli, garantoi se “gardiani”, i cili ishte protagonist absolut në ngjitjen në Serinë A, vazhdon të jetë i pashitshëm, njësoj si në periudhën kur kërkohej nga Sampdoria. 23-vjeçari aktivizohet prej dy sezonesh në radhët e bardhekaltërve, ndërsa tashmë vjen si protagonist në elitën e futbollit italian, ku ka debutuar në vitin 2009 me fanellën e Palermos.

Përveç Ujkanit, gjatë sezonit të ardhshëm te Novara mund të luajë edhe Bogdani. Sulmuesi 34-vjeçar është në prag të “divorcit” me Çezenën, pasi kjo skuadër bleu rumunin Adrian Mutu. Kuqeziu, së bashku me Nandon, Sforcinin e De Paulan cilësohet si një prej alternativave të repartit ofensiv, në rast se piemontezët nuk arrijnë të blejnë Xhedan nga Leçe. Për Bogdanin oferta ka pasur edhe nga Padova në Serinë B, që synon të fitojë kampionatin dhe të ngjitet në Serinë A.