Notat/ PSG Çelsi 2-1
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
PSG
TRAP 6,5 - Me instinkt dërgon në traversë një goditje të Diego Kostës, në dukje e sigurt që do të përfundonte në rrjetë, por përsëritet edhe dy herë të tjera në pjesën e dytë, me dy dalje ndaj bomberit të bluve. Me pak fjalë, e bën siç duhet detyrën e tij.
MARKUINJOS 6,5 - Mbart një pjesë të fajit në rastin e golit të Mikelit, sepse nuk markon siç duket Diego Kostën, që shërben me kokë për shokun e ekipit, por gjithsesi duke menduar se një qendërmbrojtës tipik si ai është shtyrë në korsinë e djathtë të repartit, e kalon me sukses provën.
TIAGO SILVA 7 - I pagabueshëm, i pakalueshëm. Madje, mbulon edhe gabimet e shokut të tij David Luiz. Si gjithmonë, dominuesi i prapavijës.
DAVID LUIZ 5,5 - I shpërqendruar në pjesën më të madhe të takimit, has shumë vështirësi në mbulimin e Diego Kostës, edhe pse në pjesën e dytë e rrit rendimentin e tij. Gjithsesi, i shkakton një pasiguri të frikshme mbrojtjes së PSG-së.
MAKSUELL 6,5 - Shtyn me forcë në të majtë, ndihmon gjithmonë skuadrën që të krijojë superioritet numerik në zonën kundërshtare, por mbi të gjitha detyron shpeshherë edhe Hazardin që të luajë shumë pranë vijës anësore. Eksperiencë!
VERRATI 6,5 - Nuk ishte në formën e tij më të mirë, por duartrokitet nga publiku pas daljes nga fusha. Ky djalosh ka personalitet për të shitur, përveçse dy këmbëve magjike. Edhe pse mund të kemi parë paraqitje më të mira nga ana e tij, një si Marko nuk mund të lihet jashtë skuadre. (E zëvendëson Rabiot në 81-tën, por pa notë).
MOTA 6,5 - 107 pasime të sakta nga 117 të ekzekutuara prej tij. Katalizatori i lojës së PSG-së. Luan dhe shpërndan më shumë topa se kushdo tjetër, me rregull, pa rrezikuar kurrë. Me pak fjalë, një mesfushor "old style".
MATUIDI 7 - Një çekiç, një që nuk dorëzohet kurrë, një mesfushor modern. Di të bëjë presing, të dyluftojë me kundërshtarin, të ndihmojë në organizim, të krijojë hapësira në zonën rivale dhe të godasë. Bën gjithçka dhe e bën mirë. (Në të 81-tën e zëvendëson Pastore, pa notë).
LUKAS 6 - E nis me marshin e pestë, por shuhet me kalimin e minutave, ndonëse dhuron disa goditje të hidhura në drejtim të portës së Kurtuasë. Duket sikur gjithmonë i mungon diçka për të bërë hapin e madh. Në minutën e 74-t, zëvendësohet nga KAVANI (nota 7). Uruguaianit të zbritur në fushë i mjaftojnë 5 prekje topi për të ndëshkuar Çelsin. Vdekjeprurës! Dhe të mendosh se zërat e shumtë mbi të ardhmen e tij mund të kishin shpërqendruar këdo, por me sa duket jo Edinsonin.
IBRAHIMOVIÇ 7 - Shënon me goditje dënimi, tenton gjuajtjen me vazhdimësi, shpërndan dhe fton të gjithë mesfushorët në aksion, me pasime të shkurtra apo vertikalizime, por në minutat e fundit humb shumë nga shkëlqimi i tij, aq sa në sekondat finale gabon edhe golin e 3-1, një rast që Ibra i kthjellët nuk do ta humbte. Gjithsesi, mbetet lideri i PSG-së.
DI MARIA 7 - Kampionët dinë të bëjnë diferencën atëherë kur duhet. Dhe ja te Di Maria u përgjigj siç duhet në fushë duke ofruar një pasim milimetri për Kavanin, një nga ato gjeste teknike që i shtojnë edhe më shumë shije këtij sporti.
TRAJNERI
LORAN BLANK 7 - Me paraqitjen që bëri PSG-ja mund të kishte merituar edhe një avantazh më të thellë, por gjithsesi, Blank ia del. Zgjedhje të mira në 11-shen titullare, akoma më pozitive zëvendësimet. Dhe nëse skuadra e tij do të luajë me këtë intensitet edhe në Angli, atëherë për Çelsin do të jetë e pamundur që të përmbysë.
ÇELSI
KURTUA 7 - U zu mat nga një devijim dhe nga lëvizja e Kavanit. Pastaj pret gjithçka tjetër: spektakolar ndaj Di Marias dhe i sigurt ndaj Ibrës dhe Lukasit. Del perfekt në çdo ndërhyrje. Me pak fjalë, një portier i madh.
AZPILIKUETA 5,5 - Në të majtë PSG-ja kalon vazhdimisht. Spanjolli jep gjithçka, por nuk mjafton. Asnjë dalje dhe shumë vuajtje.
KEJHILL 6,5 - Më i miri në mbrojtjen e Çelsit. Sakrifikohet me kokë dhe këmbë për të thyer çdo aksion. T'i kërkosh më tepër është sinqerisht shumë e vështirë.
IVANOVIÇ 6 - Jep gjithçka. Ka detyrën e vështirë për të zëvendë- suar kapitenin Terri në qendër dhe ia del me sukses. Lëvizja e Kavanit shtang edhe serbin.
BABA RAHMAN 6 - Merr notë mesatare në raportin sulm/mbrojtje ku vuan. Nota 7 për topat e tij të gjatë dhe 5 për diagonalet. Këto të fundit nuk ia kishim parë ndonjëherë.
FABREGAS 5,5 - Prisnim më shumë. Por Fabregasi i këtij sezoni mbetet ky: "Do doja, por nuk mundem". Topin e mban gjithnjë me zgjuarsi, por idetë i ka konfuze kur vjen momenti i vertikalizimit. Në fund del një provë mediokre.
MIKEL 6 - Falë golit merr këtë notë. Sepse ky gol bart një vlerë specifike për kualifikimin në Londër. I tmerrshëm në fazën ndërtuese, shkaktar i shumë faulleve dhe i ashpër në ndërhyrje.
PEDRO 5,5 - Pak shkëndija, por shumë sakrificë. Duhet të ishte një sulmues krahu, por përfundon një mbrojtës. Dhe prandaj i mungon forca për të shtyrë përpara.
UILLIAN 6,5 - Një prej më të mirëve të Çelsit. Nga këmbët e tij nis çdo aksion sulmues. Vrapon dhe drejton të gjitha kundërsulmet e bluve. I mungon pak cinizmi, por Hidink është i kënaqur edhe kështu.
HAZARD 5 - Mungesë e pajustifikueshme. Ia ka lënë Uillianit këtë sezon manovrën sulmuese dhe kundërsulmet. Vazhdon sezoni i tij i tmerrshëm dhe nuk njihet nga lojtari i një viti më parë. (Nga 71´
OSCAR 5 - hyn për të dhënë një shkundje, por nuk krijon asgjë. Është përgjegjës në golin e Kavanit, duke humbur topin dhe nuk mbron trajektoren e pasimit).
KOSTA 6,5 - OK, traversa është më tepër jo meritë e tij sesa meritë e Trapit. Por sa zemër, vrapon dhe presing bën në fushë. Është ai që fton topin te Mikel në golin e barazimit. Hidink i ka rikthyer motivimin, të cilin me Murinjon dukej se e kishte humbur.
TRAJNERI HIDINK 6 - I dorëzohet superioritet francez dhe vendos ta luajë kualifikimin në Londër. Barazimi vjen në momentin më të mirë, por nga Çelsi mund të pritet më shumë. Në fakt, duhet pritur më shumë.