Notat/ Juve Inter 2-0
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
JUVENTUS
BUFON 6,5 - Gati të gjithë ndeshjen nuk bëri pothuajse asnjë pritje. Vetëm në fund të duelit kreu një ndërhyrje të bukur përballë Ederit. Ajo e djeshmja ishte ndeshja e shtatë radhazi që nuk pësonte gol dhe tani minutat që Bufon e ka mbajtur rrjetën e paprekur janë 745. Lojtari i rekordeve.
BARZALJI 6,5 - Kishte shumë punë për të bërë, pasi Interi kishte zgjedhur krahun e tij për të sulmuar. Pas pak minutash lojë u fut në ritëm dhe nuk vuajti më.
BONUÇI 7 - Gjithmonë tentoi që të dilte nga zona me kokën lart dhe të kryente pasime të rrezikshme. Në aspektin mbrojtës, një lojtar si ai nuk mund të vihet në diskutim. Shënoi një gol jo shumë të lehtë, edhe pse u ndihmua shumë nga gabimi i D'Ambrozios.
KIELINI 6,5 - Mirë. Si në markim edhe në nisjet e aksioneve. Doli nga fusha pas 36 minutash pasi u dëmtua. (RUGANI 6 - Bëri detyrën e tij siç duhet, edhe pse Interi pothuajse nuk e vuri për asnjë moment në vështirësi)
LIHSHTAJNER 6,5 - Iu desh që të merrej gjithmonë me Tejesin, pasi ky i fundit bëri shumë zbritje. Mirëpo, sulmet e brazilianit nuk e frenuan që të bënte zbritjet e veta. Në pjesën e dytë kishte gjithçka nën kontroll.
KHEDIRA 5,5 - Ishte shumë i pa saktë. Preku shumë herë topin dhe u mundua që të shoqëronte aksionet sulmuese të Juves, por gaboi edhe pasimet më të thjeshta. Më mirë në pjesën e dytë (Sturaro - Pa notë).
HERNANES 6 - Kishte fituar besim në vetvete. Pas 4 minutash goditi edhe traversën. Më pas tregoi mangësitë e tij duke mos u përfshirë në aksionet e skuadrës.
POGBA 6 - Gjatë gjithë pjesës së parë ishte ai mungesa e madhe për Juven. Në këtë fraksion luajti më shumë për veten se sa për ekipin. Në pjesën e dytë rikuperoi kohën e humbur dhe u bë i dobishëm për skuadrën.
ALEKS SANDRO 6,5 - E nisi ndeshjen shumë mirë edhe me kalimin e kohës i pëlqeu më shumë se ç'duhet vetja dhe humbi efikasitetin. U tregua i zoti në të 25´ kur i mohoi një gol të sigurt D'Ambrozios.
DIBALA 5,5 - Në të 7´ kishte një shans të artë pasi u servir mjaft mirë nga Manxukiç. Çoi gjithçka dëm dhe kurrë nuk u tregua i rrezikshëm . (Morata 6,5 - Më konkret se argjentinasi. Fitoi dhe shndërroi një gol me shumë autoritet).
MANXUKIÇ 6 - E nisi garën mjaft mirë duke i bërë presing çdo lojtari të Interit. Nuk ishte i saktë në finalizim, por pa teksa Miranda i mohoi një gol të sigurt.
TRAJNERI ALEGRI 6,5 - Juventusi bëri lojën, edhe pse nuk ia doli që të godiste. Pas pjesës së parë bardhezinjtë ulën disi ritmin. Në minutën e 36-të për herë të parë këtë sezon vazhdoi që të luante me tre mbrojtës edhe pse u dëmtua Kielini. Juventusi nuk shkëlqeu, por me pak fat gjeti avantazhin. Po kalojnë një periudhë pozitive.
INTER
HANDANOVIÇ 6,5 - Me aq sa preku topin mjaftoi që të kthehej në hero në fillimin e garës duke devijuar goditjen e Hernanesit. Bëhet i tillë edhe në pjesën e dytë kur ndreq gjithçka pas gabimit të Zhezusit.
MURIJO 5,5 - Grintoz, por edhe shumë naiv. Në të 6´ bëri një ndërhyrje të keqe duke i lejuar Manxukiçit që të vazhdonte spritin drejt portës. Nuk ishte i saktë edhe tre minuta më vonë pasi i mungoi siguria. Në të 29´ u tregua i zoti pasi shqetësoi kroatin, kur ky i fundit tentoi të godiste me kokë.
MIRANDA 5,5 - Jo gjithmonë ia doli që të mbante kompakt repartin defensiv. Ishte autor i një gare mjaft të mirë në planin personal, pasi kurrë nuk u kalua nga rivalët. Në të 44´ i mohoi një gol Manxukiçit. Në fund pësoi rënie drastike.
ZHUAN ZHEZUS 6 - Në pjesën e parë mbajti mirë presionin e rivalëve. Gabimin e vetëm e bëri në fraksionin e dytë kur i dha mundësi Manxukiçit që të prezantohej përballë Handës.
D'AMBROZIO 4,5 - Në zonën e tij Juventusi krijoi shumë aksione të rëndësishme. Ky është limiti i tij i madh. Është i zoti që të shoqërojë ekipin në sulm, por jo gjithmonë është i kujdesshëm në mbrojtje. Gabimi te goli i parë i Juves ishte trashanik.
MELO 5,5 - Filtron mirë sulmet e Juves, por bën shumë gabime në kontrollin e topit. Kontribuon shumë në "anulimin" e Pogbasë.
MEDEL 5,5 - Sakrifikoi shumë. Ndihmoi të gjithë shokët e repartit sa herë që ata ishin në duele një kundër një. Jo më kot nuk rezultoi në asnjë prej aksioneve sulmues të Interit. (LJAJIÇ 5,5 - Nuk hyri mirë në lojë. Edhe ai i qëndroi shumë larg Ikardit. U zgjua vonë duke i dhënë mundësi Ederit që të godiste portën në fund të takimit).
KONDOGBIA 6 - Ishte aktiv dhe u përfshi në të gjitha episodet e rëndë- sishme të ndeshjes. Edhe pse nuk ishte shumë i saktë, rezultoi pozitiv për ekipin. Në pjesën e dytë pësoi rënie të lehtë të formës fizike.
TEJES 6,5 - Në pjesën e parë luajti shumë mirë. Falë bashkëpunimit me KONDOGBIAN bëri që krahu i majtë i Interit të funksiononte. (PERISIÇ 5,5 - Nuk hyri mirë në ndeshje, pasi qëndroi shumë larg shokëve të ekipit në krah)
PALASIO 5,5 - Tentoi që të mbante Ikardin të lidhur me mesfushën, por nuk ia doli që t'i shpëtonte markimit të kundërshtarëve. Vetëm në të 30´ ia doli që t'i shërbente mirë Ikardit. Në pjesën e dytë u lodh shumë, edhe pse nuk rezultoi i dobishëm për ekipin.
IKARDI 5 - Edhe një herë ishte jashtë loje. Mori shumë pak topa. Por edhe ai pati shumë faj, pasi nuk lëvizi sa duhet. Humbi një gol të bërë në të 30´. (EDER 6 - kishte të vetmin shans për gol të Interit, por Bufoni ia mohoi).
TRJANER MANÇINI 4,5 - Nxori edhe një herë mbrojtjen me tre veta pasi kërkoi që t'i hapte punë ekipit kundërshtar. Por, brenda pak minutash, Interi hoqi dorë nga sulmi dhe u mundua që të frenonte Juven. Pas 25 minutash vuajtje loja u bë më e ekuilibruar dhe Interi mori pak frymë. Në përgjithësi Interi e luajti keq këtë takim që e humbi me meritë.