Nojer: Trofetë si drogë, nuk kam frikë nga Italia
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Portieri më i mirë në botë, Manuel Nojer, festoi ditën e diel 30- vjetorin e lindjes. Shokët në kombëtare nuk mundën dot t'i jepnin fitoren ndaj Anglisë si dhuratë për ditëlindje.
Këtë dhuratë ai e pret ndaj Italisë. Gjatë një interviste për sajtin e federatës dhe redaksinë "RedaktionsNetzëerk Deutschland", portieri Nojer flet për moshën, sekretet, karrierën dhe dy miqësoret.
Manuel Nojer, urime për ditëlindjen! Mendoni se jeni në kulmin e karrierës?
Faleminderit! Mendoj se karriera ime është e suksesshme. Nuk jam tip që e festoj në mënyrë madhështore çdo vit ditëlindjen time.
Sa e vështirë është t'ju bëjnë dhurata?
Kam dëgjuar edhe në rrethin tim shoqëror se është paksa e vështirë të më bëjnë dhurata. Por, unë nuk mendoj kështu. Nuk është aspak e vështirë të më përcjellin gëzim dhe pozitivitet. Për ne futbollistët thonë se kemi gjithçka, prandaj refuzojnë edhe dhuratat me vlerë materiale. Për mua, dhurata të bukura janë kur t'i ofrojnë me gjithë zemër.
Ju kujtohet ndonjë surprizë nga miqtë?
Më pëlqejnë surprizat. Para disa vitesh doja të provoja një lloj vere. Më pas më shoqëruan 30 veta nga shoqëria dhe bëmë një festë të papritur në kantinën e verës.
Festuat 30-vjetorin. E ndjeni veten në këtë moshë apo më të ri?
Kemi një jetë përpara. Jam ende i ri. Ka 50-vjeçarë që ndihen dhe mendojnë si të jenë fëmijë. Personalisht ndihem në formë dhe 30 është thjesht një shifër, por jo të mendoj mbi mbylljen e karrierës.
Portierët janë më të privilegjuar se lojtarët e fushës...
Po, për këtë mund t'ju jap edhe shembuj si Jens Lehman, Edin van der Sar apo aktualisht Xhixhi Bufon. Nuk ka ndonjë ligj që karriera e një portieri zgjat më shumë sesa e lojtarëve të tjerë. Në të kaluarën ndoshta nga kjo moshë niste karriera e portierëve. Ndërsa sot, të rinjtë zënë vendin e titullarit në ekip duke bërë që ngarkesa dhe lodhja të nisë herët.
Bufon është 38 vjeç. Ai do që të jetë edhe pjesë e Botërorit 2018. Po ju, a e mendoni të jeni aktiv edhe për 10 vite?
Unë e adhuroj futbollin çdo ditë. Më tërheq çdo gjë që ka lidhje me këtë sport. Për aq kohë që s'do shoh shkak për t'u tërhequr, do vazhdoj karrierën.
Sa i varur është rezultati juaj në lidhje me kënaqësinë që ju ofron futbolli?
Jam shumë ambicioz. Por, nuk e kam mendjen tek eventet e ardhshme dhe më pas të jap datën e mbylljes së karrierës. Lë gjithçka në varësi të kohës dhe ngjarjeve, pasi jeta ka të papritura.
Në futboll, pothuajse i keni fituar të gjitha, trofe, tituj dhe çmime individuale. Çfarë ju mungon ende?
Tani duhet të fitoj edhe Europianin. Mesa shoh gjenerata e sotme është mjaft e uritur. Nuk e humbim për asnjë moment ambicien dhe entuziazmin. Dua të shpallem çdo vit kampion. Titujt janë si droga që të mban të varur. Qëllimi ynë është të triumfojmë në Francë. Kam përshtypjen se do të bëjmë një hap më shumë se në 2012- ën. Pësuat tre gola në një ndeshje.
Si e shpjegoni humbjen ndaj Anglisë?
Nuk duhet parë me sy kritik. Ne arritëm të shënonim dy gola, edhe pse nuk ishim në maksimumin tonë. Rezultati të lë një shije jo të mirë, por tani është detyra jonë të marrim mësimet e duhura. Anglia ka formuar një skuadër shumë cilësorë si në mbrojtje dhe në sulm. Në pjesën e dytë ne e ulëm ritmin duke u treguar të sigurt në vetvete. Por, aty nisi gabimi, pasi Anglia nuk u dorëzua dhe secili prej tyre do ta tregonte veten në fushë përse kishte ardhur në Berlin.
Sa do të ndikojë ky rezultat për të arritur një fitore ndaj Italisë ditën e martë në Mynih?
Italia do të jetë një rival i mundshëm në Europian. Nuk do të ishte keq që të vendosnim disa piketa para Europianit. Italianët janë të fortë dhe mbyllën me sukses fazën eliminatore. Ata do të na sfidojnë, ashtu siç bënë ndaj Spanjës.
A e shihni si duel hakmarrje për skualifikimin në gjysmëfinale të Europianit 2012?A është Italia kundërshtar i frikshëm?
Unë kam luajtur vetëm dy herë ndaj Italisë. Në 2013 barazuam në Milano dhe humbjen në Varshavë. Prandaj, nuk ka pse italianët të jenë rivalë që t'u kem frikë. Me italianët kam korrur suksese të mëdha. Me Bajernin skualifikuam Juventusin aktualisht nga Champions-i. Të njëjtën gjë e bëmë edhe para tre vitesh. Me Shalken munda edhe Interin. Jam i lumtur për këtë duel dhe shpresoj ta fitojmë në Mynih. Kjo do të na jepte një shtysë më shumë për finalet e Europianit.
Ndaj Anglisë kapiten ishte Khedira. Ndihet mungesa e Shvajnshtaigerit?
Mungesa e Shvajnit është humbje e madhe për ne dhe mjaft shqetësuese. Jemi mësuar me të në fushë, pasi i jep impulse të tjera lojës dhe lojtarëve. Uroj që Bastiani të ketë kohën e mjaftueshme për t'u rikuperuar dhe ardhur në kohë në Francë. Unë kam besim tek ai, pasi është i fortë dhe këmbëngulës.
Përgatiti: ENIAR IBRO