Kushti i Gjicit, heq penalitetin e titullit për vendin e tretë dhe Kupën
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nëse kundër Internacionalit të shtunën në fushë ishin edhe titullarët, të premten ndaj Kevitanit ndodhi krejt e kundërta.
Futbollistët, të veshur civilë, e kanë ndjekur këtë miqësore nga tribuna. Por duket se e gjithë kjo histori e ka një prapaskenë. Lojtarët nuk morën pjesë as në stërvitjen dhe testin e 25 marsit, pasi pasdite kishin programuar një mbledhje.
Me të përfunduar ai takim, të gjithë lojtarët iu drejtuan zyrave të klubit. Ata kishin kërkuar një takim me presidentin Safet Gjici dhe në këtë mbledhje prezentë ishin stafi administrativ, por edhe ai teknik. Takimi nisi në orën 18:30 dhe ka përfunduar në 21:00.
Rezultatet dhe gjoba
Në atë mbledhje u diskutuan dhe u qartësuan shumë çështje. E para ka qenë ajo e rezultateve, për të cilën lojtarët kanë thënë që skuadra ka ecur mjaft mirë dhe në të njëjtën linjë ishin edhe pjesëtarë të stafit teknik.
Ndërsa presidenti dhe stafi administrativ kanë pasur tjetër opinion, teksa kanë evidentuar pakënaqësinë për barazimin e fundit me Tiranën.
Por kjo nuk u pranua nga skuadra, që e cilësuan mungesë fati atë përballje, pasi sipas tyre ata e dominuan totalisht kundërshtarin në fushën e lojës. Ndërsa tema kryesore, e cila solli edhe këtë mbledhje, ishte rroga e muajit nëntorit. Pagë kjo, e cila u ishte vendosur si gjobë futbollistëve nga presidenti për shkak të rezultateve të dobëta.
Gjici ka pyetur të gjithë lojtarët me radhë, për problemet apo ankesa, gjithnjë nëse ata kishin. Lojtarët i kanë premtuar se edhe në vazhdim ata do të shfaqen të përkushtuar në punë, për të marrë rezultatet. Por i vetmi kusht që ata kishin lidhej pikërisht me këtë gjobë, që duhet t'u falej. Pra ata kërkuan që t'u shlyhej rroga e nëntorit, ndërsa duhet t'u jepet edhe rroga e radhës, ajo e muajit shkurt.
Gazeta "Panorama Sport" mëson se gjatë bisedimeve dhe debateve ka pasur edhe momente tensioni ndërmjet disa pjesëtarëve të stafit, por presidenti i ka qetësuar dhe u ka dhënë zgjidhje të gjitha çështjeve dhe kërkesave të shtruara nga ekipi.
Fjalimi i Gjicit
Gjici ka kërkuar nga skuadra fitore në Ballsh, arritjen e objektivave dhe përqendrim maksimal në stërvitje, ndërsa u ka shpërndarë edhe rrogën e shkurtit. Por jo vetëm kaq, pasi ai u ka thënë se shumë shpejt do t'u japë dhe rrogën që ua kishte vendosur gjobë për muajin nëntor.
"Çdo gjë do ta zgjidhim në mënyrën më të drejtë të mundshme. Unë nuk ju mbaj asgjë dhe ju e dini mirë këtë, pasi e keni provuar për kaq vite. Ju e dini që atë rrogë e keni si gjobë, por unë dua që të fitoni në Ballsh, të vazhdoni punën intensivisht, të arrijmë objektivat dhe asgjë nuk do t'ju mungojë.
Është e vërtetë që ndeshja me Tiranën nuk më kënaqi, doja fitore me patjetër dhe nëse do ta kishit marrë do merrnit dhe premion që ju kisha premtuar.
Do merrni rrogën aktuale, ndërsa në ditët në vazhdim do jua jap dhe rrogën e nëntorit, por dua që të fitoni me Bylisin, të arrijmë objektivat dhe të jemi të përqendruar maksimalisht. Të tjerat m'i lini mua në dorë", ka thënë presidenti në atë takim.
Kushti i presidentit
Gazeta mëson se Gjici ka shkuar edhe më tej. Ai nuk do të zbatojë një pikë që ndodhet në kontratën e gjithsecilit, që i penalizon lojtarët me dy rrogat e fundit nëse nuk shpallen kampionë.
Por që të merren këto dy paga, ai ka vendosur një tjetër "ultimatum", ndërsa pret që Kukësi i tij jo vetëm të renditet i treti në mbyllje të këtij sezoni, por edhe të fitojë Kupën e Shqipërisë. Nëse kjo ndodh, klubi do të heqë klauzolën e dy rrogave të fundit.
Përgatiti: Skerdilaid Sulozeqi