Një gol në ndeshje, Raboshta tregon suksesin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kastrioti ka harruar fitoren ndaj Adës dhe nga dita e djeshme ka nisur përgatitjet për "derbin" që zhvillohet këtë fundjavë ndaj Ilirisë.
Lojtari i momentit te krutanët është shkodrani Jasmin Raboshta, i cili ka arritur që në 18 ndeshje që ka luajtur të realizojë 17 gola, thuajse nga një gol për çdo takim. Ai është pretendenti kryesor për të fituar edhe "Këpucën e Artë".
"Pas ndeshjes së fundit ndihemi më të qetë në rrugën drejt rikthimit të Kastriotit në Superiore. Për sa i përket takimit ndaj Adës, ishte e vështirë, ku na u deshën rreth 30 minuta për zhbllokimin e rezultatit.
Më pas u bë 'rrugë' dhe arritëm të shënonim pesë gola. Shpresoj që të mos ndalem më duke shënuar në çdo takim deri në fund duke synuar edhe 'Këpucën e Artë'. Janë javët e fundit dhe ndeshjet bëhen më të vështira, duhet vlerësim maksimal për këto shtatë takime të mbetura, pasi ekipet kanë nevojë për pikë. Për sa i përket javës në vazhdim, përballja me Ilirinë është një sfidë delikate, pasi është 'derbi'.
Por, ashtu si ne që na duhen pikët për t'u ngjitur, edhe Ilirisë i duhen për t'i shpëtuar rënies nga kategoria. Megjithatë, personalisht e vlerësoj si skuadër të rrezikshme, pasi luajnë lirshëm dhe të hapin probleme. Ndaj, duhet vlerësuar maksimalisht për të marrë 3-pikëshin e radhës. Mezi e presim rikthimin e tifozëve, pasi na ka munguar mbështetja e tyre në këto takime", përfundon Raboshta.
Përgatiti: Liridon Pasha