e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Nis eksodi te Vllaznia, largohen emrat kryesore

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nis eksodi te Vllaznia, largohen emrat kryesore
Fakti që Vllaznia shkoi vetëm një hap larg ëndrrës për të luajtur për herë të parë në historinë e saj në turin e tretë të kupave të Europës, nuk ka mjaftuar që drejtuesit e klubit të ruanin dhe përforconin skuadrën. Përkundrazi, si ndodh rëndom me klubet shqiptare, në prag të edicionit të ri ekipi thuajse është shpërbërë. Kjo për faktin se kuqeblutë mund të humbasin disa prej emrave më të rëndësishëm të kontingjentit. Dita e parë e stërvitjes pas ndeshjeve në Europa League ka dhënë alarmin për një eksod të mundshëm. Nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa nuk janë paraqitur katër lojtarë, të cilëve u ka përfunduar kontrata dhe praktikisht nuk kanë më asnjë detyrim ndaj Vllaznisë: bëhet fjalë për portierin Vujadinoviç, sulmuesin Sinani, mbrojtësin Rajoviç dhe mesfushorin kosovar, Nallbani. Këtyre lojtarëve u shtohet edhe mungesa e Dritan Smajlit, që ka edhe një vit kontratë me presidentin Valter Fushaj. Por, në marrëveshjen mes tyre ekziston një klauzolë, sipas të cilës mbrojtësi mund të largohet për t’u transferuar në një skuadër jashtë Shqipërisë.

Megjithatë, largimet e lojtarëve kryesorë duket se nuk i kanë shqetësuar drejtuesit e klubit. Presidenti Fushaj vazhdon të mos japë asnjë sinjal se do të kërkojë të ulet në tryezën e bisedimeve me 4 futbollistët pa kontrata. I shqetësuar rreth mungesave të futbollistëve që përbëjnë boshtin e skuadrës, nuk është shfaqur as trajneri Mirel Josa. Drejtuesi i stolit e ka cilësuar si “të pritshme” një situatë të tillë. Ai deklaroi: “E prisja që Vujadinoviç, Nallbani, Sinani e Rajoviç të mungonin, edhe sepse kontratat e tyre me klubin ishin të vlefshme deri në përfundim të ndeshjeve në Europa League. Për këtë arsye mund të them se në ditën e parë të stërvitjes, situata është normale. Unë kam qenë gjithmonë kundër kontratave vetëm për ndeshjet ndërkombëtare, ndërsa tashmë çdo gjë është në dorën e presidencës. Uroj që gjithçka të zgjidhet sa më shpejt”. Ndryshe nga sa mund të ishte hamendësuar, në stërvitje janë paraqitur rregullisht dy sulmuesit Xhevahir Sukaj dhe Armando Vajushi. Edhe pse është përfolur që lojtarët e rinj kanë oferta nga Zvicra, fakti që ata vazhdojnë të jenë në Shkodër mund të përkthehet si qëndrim – të paktën deri në gjysmën e parë të sezonit – në “Loro Boriçi”.

Çështja “Abraham”

Sikur të mos mjaftonte që në sezonin e ri skuadrës mund t’i mungojë thuajse gjysma e titullarëve të sezonit të kaluar - Sinani, Vujadinoviç, Rajoviç, Nallbani, potencialisht Smajli dhe Shtubina i larguar pas ndeshjes me Birkirkaranë – e sigurt nuk është as e ardhmja e Abraham Aleçenu. Nigeriani ishte shprehur se do të largohet nga skuadra nëse i kërkojnë të luajë sërish si mesfushor. Kjo e ka zemëruar trajnerin Josa që tha: “Asnjë lojtar nuk mund të më kërcënojë mua. Nëse Abraham e mendon kështu, atëherë më mirë të largohet. Ai mund të mos kishte pranuar të zbriste në fushë kur ka luajtur si mesfushor. Gjithsesi, lojtari nuk e ka shprehur këtë pakënaqësi me mua, apo me stafin teknik”.