Agolli: Ne Belgjike, per rezultat pozitiv
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ansi Agolli motivon Karabakun në prag të sfidës së parë që skuadra azerbajxhanase do të zhvillojë me Klub Bryzh në turin e tretë eliminator të Europa League. Edhe pse vlerëson forcën dhe kualitetin e kundërshtarëve, mbrojtësi shqiptar beson se skuadra ku ai luan së bashku me kuqeziun tjetër, Admir Teli, mund të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë. Sfida do të zhvillohet sot në “Jan Breidelshtadion” të Bryzhit, në orën 20.30. “Belgët janë një kundërshtar mjaft i vështirë. Kemi hyrë në një fazë ku rivalët kanë një nivel shumë më të lartë. Mendoj se Bryzhi do të shfaqet menjëherë agresive dhe do të kërkojë të shënojë, duke qenë se luan në shtëpi. Duhet të jemi të kujdesshëm në mbrojtje dhe t’i kundërsulmojmë. Gjithsesi, si unë ashtu edhe skuadra ndihemi gati”, tha Agolli. Për sa i takon rezultatit ideal, lojtari i Kombëtares shqiptare shtoi: “Barazimi 1-1 ose 2-2 do të ishte mjaft pozitiv. Megjithatë, synimi kryesor është të marrim rezultat pozitiv dhe të tentojmë kualifikimin në ndeshjen e kthimit”.