Nica e ka me formën fizike, në stërvitje nis zbori
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas analizës së ndeshjes së javës së 22-të të Kategorisë Superiore, ku Laçi u mund në shtëpi nga Bylis, dje skuadra ka startuar me seancën e parë të stërvitjes. Në program, stafi teknik ka pasur rritjen e parametrave fizikë të grupit, i cili, në përballjen e fundit, shfaqi shpesh mangësi.
Lojtarët, ndikuar edhe nga lodhja e takimit të kthimit mesjavën e kaluar me Partizanin, nuk arritën të ruanin ritmin e duhur. Kjo bëri që formacioni bardhezi, në sfidën e zhvilluar në shtëpi, të demonstrojë shenja lodhjeje.
Një tipar që më herët nuk ka ekzistuar. Këtij problemi duket se i druhen te stoli teknik i Laçit, teksa për t'u paraprirë punëve, dje udhëzuan që të punohet pikërisht në drejtim të rritjes së këtyre parametrave. Në seancë, u shfaqën të gjithë futbollistët.
Mungesat Të diferencuar, punuan vetëm Zefi dhe Malindi. Ky i fundit shfaqi probleme pak orë para takimit të luajtur të dielën, ndërkohë që për Zefin do të vendoset sot nëse do të jetë i gatshëm. Lajm i mirë për teknikët është kthimi i mesfushorit Argjend Mustafa.
Kosovari duket se ka lënë pas dëmtimin dhe se deri në fundjavë do të jetë gati për të synuar një vend në formacion. Në terren, përpos seriozitetit të ligjshëm, është vënë re se lojtarët punuan totalisht në heshtje. Ata e ndiejnë përgjegjësinë e rendimentit të dobët të javës së fundit, ndërsa në mënyrë surprizë u mundën nga një skuadër që lufton për mbijetesë. Këtë herë kurbinasit do të udhëtojnë drejt Shkodrës për t'u përballur me Vllazninë.