Analiza për Flamurtarin, Cungu me tone të ashpra të tijve
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Drejtuesit e Vllaznisë kanë zhvilluar një analizë të hollësishme para nisjes së procesit stërvitor të ditës së djeshme. Analiza ka startuar rreth orës 11:15 dhe ka zgjatur afro 45 minuta, deri në orën 12:00, kur edhe ka nisur seanca stërvitore me përgatitjet për takimin kundër Laçit.
Tekniku Cungu mësohet të ketë qenë i ashpër me lojtarët e tij për atë humbje dhe paraqitjen në përgjithësi që kanë bërë në takimin e fundit me Flamurtarin. Kritikat e numrit një të pankinës shkodrane kanë qenë të shumta në drejtim të të gjithë lojtarëve, duke ia nisur nga mbrojtja e deri te sulmuesit që janë aktivizuar.
Kryesisht është ndalur te reparti i mbrojtjes dhe te loja në tërësi e skuadrës në mbrojtje. Nuk kanë munguar kritikat edhe për lojtarë të veçantë. Nga sa mësohet, tekniku ka kërkuar më shumë nga lojtarët që mbajnë peshën në skuadër.
Humbja me Flamurtarin ka bërë që Vllaznia të renditet sërish në vendet e fundit. Kjo, me sa duket, ka alarmuar jo pak teknikun Cungu dhe stafin e tij, që ka kërkuar nga lojtarët të shfaqin grintë në fushën e lojës. Laçi Në këtë analizë është folur edhe për takimin e radhës kundër Laçit.
Një përballje e një rëndësie të veçantë për kuqeblutë, për vetë pozicionin në të cilin ndodhet Vllaznia. Përballjet me Laçin përherë kanë qenë problematike për shkodranët, sidomos vitet e fundit.
Skuadra laçiane ka qenë një pengesë serioze për kuqeblutë në vazhdimësi që thuajse gjithmonë i ka krijuar probleme, si në Shkodër, ashtu edhe për takimet e zhvilluara në fushën e kurbinasve. Nisur nga kjo, tekniku Cungu i ka kushtuar jo pak minuta analizës së kësaj ndeshjeje.
Madje ka kërkuar që ekipi të tregojë në atë takim vlerat që tregoi në dy përballjet e zhvilluara në Shkodër në takimet me Skënderbeun dhe Partizanin. Ai kërkoi që skuadra të tregojë grintë dhe shpirt të lartë gare për të kapërcyer këtë takim dhe për të arritur, në njëfarë mënyre, që të fillojë të lërë pas fundin e tabelës së klasifikimit.