e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Malota: Nëse doni futboll të ndershëm, ndëshkoni këtë kastë arbitrash

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Malota: Nëse doni futboll të ndershëm, ndëshkoni këtë kastë arbitrash

partizani-kukesiKapiteni i Kukësit, Renato Malota, në një intervistë për "Panorama Sport" flet për takimin e shumëpërfolur Partizani-Kukësi, të cilën e vlerëson si humbje me dashje, nga faktorë të jashtëm, direkt nga arbitri Bardhyl Pashaj, i cili është përsëritës për kuksianët.

E kishit përgatitur mirë ndeshjen, por u mundët. Cilat ishin shkaqet?

Vinin në këtë ndeshje me moral të lartë dhe me besim që do të merrnim rezultat pozitiv, por jo gjithmonë fati është në dorën tonë. Pastaj, fatin tonë të keq e përcaktoi dhe arbitri Pashaj.

Historia vazhdon, pasi në 6 ndeshje në Tiranë nuk fitoni dot asnjë?

Historia vazhdon, por nuk e meritonim në asnjë mënyrë rezultatin. Pikërisht për ato vendime që gjyqtari mori. Nëse do të kishte marrë vendime të sakta do të flisnim ndryshe sot.

Çfarë kishte më shumë Partizani se ju?

Mendoj se nuk kishte ndonjë gjë më shumë se ne. Që në fillim po sulmonte dhe po e kërkonte golin, nga ana tjetër ne po mbroheshim mirë dhe po rrezikonim me kundërsulme. Mendoj se, po të ishim pak më të qartë në fazën sulmuese, edhe mund të shënonim që në pjesën e parë.

Sërish faji i mbrojtjes në pësimin e golit, a ishte i evitueshëm?

Me shumë do të thosha se ishte fati i Sukajt se sa faji i mbrojtjes, por gjithsesi kemi përgjegjësi. Pas pësimit të golit, ekipi u hodh në sulm dhe gjatë gjithë kohës po u flisja shokëve që të rrinim para dhe të kalonim lojën në fushën e kundërshtarit, duke ushtruar presion.

Po për rastet që humbi Kukësi, ka ndonjë shpjegim?

Nuk kam çfarë të them, sepse ndodh që humbet raste, por 2-3 raste të pastra që ne patëm, futbollistët e Partizanit shkaktuan penallti. Nuk di çfarë të them, mund të gabosh 1 herë, por jo 3. Ky ishte gabim i arbitrit jo i futbollistëve të Kukësit. E them me bindje të plotë se na u mohuan 2 penallti të pastra. Duke qenë dhe 5 arbitra në fushë nuk e di sesi nuk i akordojnë ato penallti, pasi ishin të dukshme.

Po për kartonin e kuq të Shametit, mendoni se e teproi arbitri?

Nuk mendoj se ishte për karton të kuq, arbitri u nxitua. Ndonjëherë lojtarët duhet të kuptohen, sepse jo çdo gjest e bëjnë me të keq, si në rastin e Shametit. Lojtarët ndëshkohen sipas dëshirës së arbitrit, po gjyqtarët pse nuk ndëshkohet për veprimtarinë e tyre negative?!

Pra, ju po thoni se faktorë të jashtëm ndikuan në humbjen tuaj?

Arbitri na hëngri hakun në çdo aspekt. Na mohoi dy penallti të pastra, që s'e di kush në botë nuk i jep ato. Na ndëshkoi me karton të kuq në një rast që nuk duhej ta bënte për shkak të vet dinamikës së ndeshjes. Ai nuk meriton respekt jo vetëm nga ne, por nga askush në botën e futbollit sepse ka vjedhur rezultatin tonë dhe e ka bërë pis profesionin e tij. Nëse doni futboll të ndershëm, ndëshkoni këtë kastë arbitrash me Pashajin në krye