Prishja e shtëpive për stadiumin Loro Boriçi, ka protesta
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndërtimi i stadiumit të Shkodrës po ndesh sërish probleme.
Janë rreth 8 objekte që do prishen, prej të cilave biznese, shtëpi banimi ose vila, pasi në total janë 4000 metra katrorë që parashikohet të bëhet parkimi i "Loro Boriçi"- t.
Banorët që do preken nga vendimi i datës 03 dhjetor 2015 i Këshillit Kombëtar të Territorit kanë kundërshtuar atë, i cili sipas tyre bie në kundërshtim me projektin e parë. Nga ana tjetër, sipas avokatit të familjeve që do t'u prishen shtëpitë, Kastriot Haxhi, ka një sërë shkeljesh ligjore që janë kryer.
"Ka dy vendime që mbajnë të njëjtin numër, si dhe hapësira prej rreth 4000 metrash katrorë në hartën e fundit është vetëm një gjurmë dhe në të nuk ekzistojnë objekte, çka nuk është e vërtetë", shprehet ndër të tjera zoti Haxhi. Avokati i familjeve që do t'u prishen shtëpitë pranë stadiumit "Loro Boriçi" ka reaguar me anë të një deklarate për shtyp ku ka bërë publike shkeljet ligjore që janë kryer në vendimet e paraqitura nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
"Është e paligjshme ajo që ka ndodhur me vendimet, ndërsa hapësira prej rreth 4000 m2 në hartën e fundit është vetëm një gjurmë dhe në të nuk ekzistojnë objekte. Diçka e tillë është e papranueshme, pasi në këtë zonë ka disa objekte, shtë- pi dhe biznese dhe nuk mund të fshiheshin në projekt dhe të mos parashikoheshin fare", vijon avokati Haxhi.
Bashkia Shkodër
Nga ana e saj, Bashkia e Shkodrës i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Zhvillimit Urban duke kundërshtuar vendimin e prishjes së objekteve të banimit për ndërtimin e parkingut si dhe i kërkon rishikimin e projektit. Në shkresën zyrtare që mban firmën e kryetares së Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, mes të tjerash, thuhet:
"Sa më sipër, kërkojmë ndryshimin e gjurmës së shpronësimit të menduar për parkim, duke propozuar hapësirë më të përshtatshme për funksionin e parkimit me më pak kosto dhe pasoja sociale. Ju bëjmë me dije se parkimi i propozuar nga ana juaj sjell pasoja sociale dhe ekonomike.
Shembjet e godinave të bizneseve dhe objekteve të banimit, sado që të bëhet fjalë për vlerësim të shpronësimit, nuk do përmbushë asnjëherë koston dhe dëmin e shkaktuar. Sikurse parashikohej në projektin e miratuar dhe të bërë prezent në shtator 2015, nuk ishte parashikuar hapësira shtesë për nevojë parkimi.
Prandaj, kërkojmë nga ana juaj rishikimin e projektit dhe hapësirës së parkimit në funksion të stadiumit, duke vlerësuar me seriozitet pasojat dhe kostot që aktualisht janë prezent dhe shqetësuese për banorët dhe bizneset".
Kërcënimi
Vetë banorët e zonës kanë paralajmëruar protesta ndaj këtij vendimi të dytë në lidhje me prishjen e shtëpive të banimit dhe bizneseve. Në rast se nuk do të ketë asnjë reagim nga ana e qeverisë, banorët e zonës kanë paralajmëruar kundërshtim të ashpër të këtij vendimi të dytë në lidhje me prishjen e shtëpive të banimit dhe bizneseve, deri në bllokimin e punimeve.
Përgatiti: ADMIR URUÇI