e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ngec Dinamo, vetëm barazim kundër Sopotit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ngec Dinamo, vetëm barazim kundër Sopotit

Sopoti dhe Dinamo ndahen në paqe 1-1. Edhe pse Sopoti kaloi në avantazh i pari, Dinamo barazoi shumë shpejt dhe dominoi ndeshjen, ndërsa nuk arriti dot të fitojë, ku një shtyllë e Marvin Turtullit në minutën e 91-të i heq fitoren nga duart skuadrës së Allmuçës. sopoti dinamoSopoti mundohet me Çaushaj, Çotën dhe Berdufin, por dinamovitët nuk u lënë hapësira, duke treguar se janë të konsoliduar.

Ndërkohë që Dinamo tregon dhëmbët me Turdiun, i cili në të 30-ën godet portën, por Saraçi grushton topin. Në të 40-ën Sopoti i Ardi Bozhanit kaloi në avantazh i pari me anë të Berdufit. Polisi fiton një faull rreth 35 metra larg portës në krahun e djathtë të gjysmë- fushës.

Kroson Kastrati brenda zonës. Berdufi kërcen fort, ndërsa mbrojtësit e Dinamos nuk koordinohen siç duhen me portierin Mema. Lojtari i Sopotit me kokë kalon në avantazh vendësit. Nuk kishin kaluar as katër minuta nga goli, ku blutë i përgjigjen me Turdiun.

Ky i fundit i jep një pasim për Tragën, i cili pozicionohet mirë në zonë, bëhet gati për të shkuar drejt portës së Saraçit, por braziliani Pedro Mistieri e tërheq fort nga fanella, gjë që bën që mesfushori të rrëzohet. Arbitri shkodran bën shenjë për nga pika e bardhë e penalltisë dhe i nxjerr të verdhin brazilianit.

Penalltinë e merr përsipër Gërxho, i cili nuk fal dhe barazon rezultatin. Pjesa e dytë fillon me vrull, ku Dinamo tregon që është superiore. Turdiu në minutën e 59-të del i vetëm përballë portierit Saraçi, por e lëshon më shumë seç duhet topin, ndërsa gardiani ia heq topin nga këmbët. Ndërkohë që edhe Bozhani bën lëvizjet e tij. Hedh në fushë Dhimën, Kocanin dhe Myzyrin, por Dinamo sërish është superiore. Në minutën e 91-të, Dinamo del e gjitha në sulm, Turtulli gjuan fort drejt portës, por shtylla pingule i mohon golin. Krejt takimi mbyllet në barazim.

Allmuça

"Është një pikë e vlefshme për ne. Duke parë lojën, ne ishim superiorë në raport me kundërshtarin në çdo raport, kështu që mënyra sesi u zhvillua ndeshja duhet të kishim marrë më shumë se barazim. Portieri i tyre ishte heroi i ndeshjes, pasi ka shpëtuar shumë raste, të cilat mund të ishin gola. Gjithsesi, jam i kënaqur edhe pse me fitore do isha më shumë".

SOPOTI-DINAMO 1-1
GOLAT: Berdufi 40'/ Gërxho 44´ (11-m)
SOPOTI: Saraçi, Kelmendi, Zeqaj, Dimo, P.Mistieri (Myzyri 72´), Çaushaj, Gjeci, Kastrati (Kocani 66´), Berdufi, Polisi (Dhima 78´), Çota.
Trajner: Ardi Bozhani
DINAMO: Mema, Peqini, Muça, Turtulli, Elmazi, Thana, Traga (Murataj 60´), Gërxho, Ikonomi (Bakiu 75´), Turdiu, Kolgega. Trajner: Igli Allmuça
GJYQTARË: I.Myrtja, M.Dervishi, F.Thorja
KARTONË TË VERDHË: Çaushaj 15´, Mistieri 43´
VËZHGUES: Bujar Labinoti
DELEGAT: Plarent Kotherja

Përgatiti: Skerdilaid Sulozeqi