Nga trajneri Shën te revista LEquipe në grackën e lojës kuqezi!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në vitet '70, kur kemi luajtur me Gjermaninë e trajnerit të famshëm Helmut Shën, kujtohet një episod që sfidon edhe harresën. Gjatë lojës, trajneri Shën mbante shënime dhe pastaj i fshinte përsëri. Kur e kishin pyetur në fund të ndeshjes për këtë ritual, përgjigjja kish qenë befasuese:
"Nuk kuptova se si po luanin shqiptarët". Ka kaluar gati gjysmë shekulli dhe revista prestigjioze "L'Equipe" ka rënë në grackën e trajnerit Shën. Pas ndeshjeve miqësore me Austrinë dhe me Luksemburgun, revista e njohur nuk ka arritur të deshifrojë lojën e kuqezinjve dhe qëllimin e De Biazit.
Pjesa e parë me austriakët ka qenë kaq e frikshme, sa shumë veta janë pushtuar nga ankthi i pyetjes: "Ç'na u desh Europiani! Ishim mirë kur ishim keq". Atëherë kur ishim padronë të vendit të fundit, apo të parafundit, media botërore nuk e shikonte me lupë lojën tonë.
Tani, me petkun e finalistit, kur na shikojnë duke luajtur, janë të pafuqishëm për të kuptuar shkakun pse jemi midis më të fortëve. Loja pa ide dhe varfëria në raport me topin jo vetëm na klasifikojnë të fundit, por mund të meritojmë edhe pagëzimin "shqiponjat duken të lodhura".
Cilido qoftë realiteti kuqezi, ne jemi mësuar të besojmë te përrallat, sidomos kur flitet për futbollin e madh. Prej vitesh kemi bekuar Kombëtaren, duke e treguar si ishullin e lumtur të kësaj loje, ndërsa ekipin Shpresa e ekspozonim si modelin e pashpresë për t'u bërë... shqiponjë e madhe.
Ajo që ka ndodhur këto ditë, nëse do të jetonim me më shumë të vërteta, 21-vjeçarët u kanë dhënë një shuplakë morale "heronjve" kuqezi. Në dy ndeshjet e fundit, sikur t'i largoheshim patologjisë së pikëve, futbollistët e trajnerit Jupi kanë përmbysur me gola një ndeshje të vështirë, por goli i madh ishte... rikthimi i shpresës.
Nga një ekip ku porta hapej dhe mbyllej me ritmin e fizarmonikës, te një grup amalgamë të rinjsh që sfiduan indirekt edhe trajnerin De Biazi, kur "rrëmbeu" Rashicën për të shtuar dozën e eksperimentit, pa u merakosur për fatin e një ndeshjeje që kishte shumë peshë për ta.
