Nga rivaliteti te tifozet, nje kampionat qe nuk zhgenjen
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Java e 18 e Kategorisë Superiore ka dekretuar mbylljen e gjysmës së parë të sezonit futbollistik në Shqipëri, në një edicion që deri tani ka rezultuar mjaft entuziazmues. Gjithçka ka ndodhur në këtë pjesë të parë: luftë sportive, paraqitje ekipore dhe individuale të shkëlqyera, entuziazëm i jashtëzakonshëm në stadiume të mbushura, por edhe impiante të boshatisura. Premisat janë që spektakli të vazhdojë në pjesën e dytë të një edicioni, ku futbolli i prodhuar ka filluar të kthehet përsëri në temë diskutimi në vendin tonë.
Rivaliteti
Meritën më të madhe për entuziazmin e krijuar rreth futbollit të prodhuar nga kampionati shqiptar e ka padyshim rivaliteti i madh që kanë krijuar katër skuadrat të cilët duelojnë me njëra-tjetrën për titullin kampion. Kukësi e Skënderbeu janë “rivalët e vjetër” të dy edicioneve të kaluara, ndërsa atyre u janë bashkuar edhe Partizani e Tirana, dy ekipe që u janë kthyer viteve të tyre të lavdishme. Pas 18 javëve të para është e pamundur të thuash se kush mund të fitojë titullin kampion mes tyre, apo kush e meriton më shumë, një dilemë që pritet të vazhdojë deri në minutat e fundit të këtij edicioni ku thuajse çdo javë ka sjellë një ndryshim në kreun e klasifikimit.
Të spikaturit
Në një vit ku klubet e Kategorisë Superiore kanë bërë merkato me emra të rëndësishëm, mes tyre elementë të përfaqësueses kuqezi, ka rënë në sy cilësia individuale e disa futbollistëve që kanë bërë shpesh diferencën për skuadrat e tyre. Pero Pejiç ka mbajtur peshën më të rëndësishme të sulmit te Kukësi, dukë shënuar 10 nga 21 golat e skuadrës verilindore dhe duke u konfirmuar si një “ekspert” në kampionatin tonë, ku ka shënuar me rregullsi të admirueshme pavarësisht fanellës që ka mbajtur veshur. Në hapat e kroatit po ecën edhe Peter Olainka, 19-vjeçari nigerian i Skënderbeut. 5 golat e shënuar prej tij tregojnë vetëm pak nga aftësitë e lojtarit, për të cilin thuhet se është interesuar edhe trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi. Edhe Partizani ka një sulmues të spikatur si Raçiç që i ka siguruar 13 pikë me 5 golat që ka shënuar në këtë kampionat, por heroi i kryeqytetasve në këtë edicion është padyshim Alban Hoxha. Portieri i të kuqve ka thyer një rekord historik 30-vjeçar për futbollin shqiptar, duke qëndruar i pamposhtur për 1084 minuta radhazi. 27-vjeçari është kthyer në portierin e tretë të kombëtares shqiptare dhe nuk është çudi që së shpejti ai të kapërcejë Orges Shehin në hierarkinë e portës së përfaqësueses.
Zhgënjimet
Paralelisht me triumfet, ecin edhe zhgënjimet. I tillë mund të cilësohet deri tani sezoni i Flamurtarit, një skuadër e ndërtuar me idenë për të luftuar për titull, por që aktualisht ka më afër fundin e klasifikimit sesa kreun e tij. Ndonëse nuk ka munguar mbështetja financiare, apo ajo e tifozerisë së zjarrtë, vlonjatët deri tani kanë dhuruar shumë pak dhe mbeten mes jo-protagonistëve të këtij kampionati. Dështim mund të cilësohet edhe tentativa e Bashkisë së Shkodrës për të privatizuar Vllazninë, duke nënshkruar e më pas duke anuluar një kontratë me një kompani që nuk jepte asnjë lloj garancie financiare apo teknike mbi mbarëvajtjen e ekipit. Largimi pa lënë shenjë i thuajse të gjithë emrave të afruar në fillimin e sezonit tregon qartësisht se sa i gabuar ishte vendimi fillestar i dalë nga këshilli bashkiak i qytetit verior. Nota negative për këtë pjesë të parë të sezonit meritojnë edhe Elbasani me Apoloninë, të dorëzuara shumë shpejt në luftën për mbijetesë në Superiore dhe të pajtuara që tani me idenë se do të kthehen në Kategorinë e Parë.
Tifozët
Në të mirë a në të keq, tifozët kanë qenë gjithmonë protagonistë të kësaj pjese të parë të kampionatit. Kishte shumë kohë që futbolli shqiptar nuk përjetonte stadiume kaq të mbushura, thuajse çdo javë dhe një entuziazëm të pashoq që shoqëronte për shumë ditë disa prej “klasikeve” të kampionatit tonë. Do të ishte sezoni perfekt po të mos rishfaqeshin huliganët, të cilët me veprimet e tyre dëmtuan ekipet që teorikisht duhej të mbështesnin. Falë bëmave të tyre u mbyllën dyert e shumë stadiumeve në vend edhe për ata që thjesht dëshironin të shihnin një ndeshje futbolli.