Nga Napoli te Napoli, Milani për Champions
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mbrëmjen kur të gjithë prisnin rikthimin e Napolit në vend të parë ishte Milani ai që i rrëmbeu skenën duke dalë nga "San Paolo" me një pikë që e kthen me "detyrim" aty ku e meriton të jetë, mes të mëdhave. Duelet me kampanët këtë sezon kanë qenë "udhëkryqe" të vërteta për "Djallin" që pas sfidës së dytë (të parën e humbën 4-0 në "San Siro") ka certifikuar ndryshimin e hapit.
Të katërtit - Për të verifikuar përmirësimet e Milanit të Sinishës mjafton të krahasojmë rendimentin e ekipit në 7 takimet e para të pjesës së dytë të sezonit me ato të të parit. Prej dueleve të luajtura në 2016, Milani ka marrë plot 15 pikë, pra 6 më shumë se ç'mori pas shtatë dueleve të para që praktikisht futën në "hije" të keqe teknikun.
Klasifikimi i skuadrave të Serisë A të këtij sezoni do të ishte më bujar me "Djallin" nëse do të konsideroheshin vetëm shtatë takimet e kthimit. Në këtë hark kohor më mirë se kuqezinjtë kanë bërë vetëm Juventusi (19 pikë), Roma (16) dhe Napoli (16). Përballë Milanit kanë humbur terren ekipet e Fiorentinës dhe të Interit, të cilat respektivisht kanë grumbulluar 14 dhe 9 pikë.
Diferencat e golavarazhit - Rritja e numrit të pikëve të grumbulluara janë pasojë e rendimentit të mirë të ekipit në fushë. Në startin e sezonit Milani bëri mjaft keq, pasi regjistroi 3 fitore dhe 4 humbje. Në shtatë takimet e para, "Djalli" shënoi vetëm 8 gola dhe pë- soi plot 13 të tillë.
Ndërsa me fillimin e pjesës së dytë të sezonit, kuqezinjtë kanë ndryshuar ritëm duke shmangur plotësisht humbjen, pasi kanë koleksionuar 4 fitore dhe 3 barazime. Përmirësimi në pikët e marra reflektohet te soliditeti i mbrojtjes, pasi Milani në shtatë ndeshje ka pësuar vetëm 5 gola. Ndërkohë që edhe sulmi ka treguar rritje duke shënuar plot 13 rrjeta.
E madhe me të mëdhatë - Fakti që Milani është "rritur" e konfirmon rendimenti i skuadrës në përballjet e forta. Ndryshe nga çfarë bëri në sprintin fals, ku nuk grumbulloi asnjë pikë në përballjet me Fiorentinën, Interin dhe Napolin, tani në pjesën e dytë të sezonit "Djalli" është hakmarrë duke koleksionuar 7 pikë në tre shanset e dyta.
