Arbitrimi në udhëkryq
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndoshta ajo e fundit mund të mos jetë java më e zezë e futbollit tonë, por me siguri është më e zhurmshmja, më e debatuara dhe më e qarta në sytë e opinionit sportiv.
Për fat të keq, kur do të duhej të merreshim me futbollin e luajtur, lojtarët e spikatur, apo rikthimin e tifozëve, sërish "flamurin" e vëmendjes e kanë rrëmbyer arbitrat.
Në vend që përqendrimi i tyre të jetë maksimal për të evituar çfarëdolloj problematike, për të dhënë drejtësi në momentin më kyç të sezonit, apo për t'u zhveshur nga kostumi i protagonizmit, si me komandë, në pothuajse të gjitha ndeshjet e Kupës dhe të kampionatit, arbitrat të bashkuar "si një trup i vetëm" janë hedhur në sulm për të bërë sa më shumë gabime, për të ndikuar direkt në rezultatet e ndeshjeve dhe për të marrë një përqindje shumë më të lartë se ç'u takon për fatet e sezonit.
Gjatë viteve të tranzicionit mund të jenë bërë gabime edhe më të rënda dhe kjo shpeshherë është justifikuar me problematikat e shumta të vendit, si dhe me një informacion të cunguar. Por, në këtë moment, është shumë e vështirë për të gjetur alibi për gabimet trashanike të arbitrave, të cilët, pavarësisht se janë të monitoruar më shumë se kurrë, janë në vëmendjen e publikut në të gjitha format e komunikimit publik, janë të ndërgjegjshëm për misionin dhe rolin e tyre, e megjithatë asgjë nuk i ndalon për të qenë ata që diktojnë dhe vendosin rezultatet e ndeshjeve.
Mjafton një vështrim i përciptë i "highlightseve" të ndeshjeve dhe pamjet e rasteve të diskutueshme për t'u bindur se këtë javë është kaluar çdolloj kufiri logjik i rolit të tyre. Gjyqtarë që më një guxim të ekzagjeruar kanë marrë vendime ekstremisht të gabuara, duke fyer në radhë të parë bluzën që mbajnë të veshur, rregullat dhe moralin e këtij sporti, mundin e protagonistëve të fushës, milionat e atyre që investojnë në këtë sport, pasionin e atyre që i ndjekin në stadiume dhe TV e mbi të gjitha ata të cilët i kanë seleksionuar, investuar dhe besuar për të ushtruar këtë profesion.
Në këtë pikë, një ndalesë është e domosdoshme. Titullarët e FSHF-së duhet urgjentisht t'i thërrasin të gjithë gjyqtarët e elitës dhe t'i vendosin para përgjegjësisë për këtë situatë të rëndë. Arbitrat kanë gabuar dhe do të vijojnë të gabojnë, por shfaqje dhe paraqitje arrogante, gjyqtarë që e kanë "të shkruar në ballë" se cilin ekip do të favorizojnë, nuk duhet të kenë vend në elitën e futbollit tonë. Për të dalë nga kjo situatë është e domosdoshme marrja e disa masave, disa prej të cilave mund të jenë:
-Drejtuesit e sektorit të arbitrimit të marrin përgjegjësitë e tyre, për seleksionimin e këtij grupi gjyqtarësh, për seminaret e panumërta të zhvilluara dhe që po rezultojnë të paefektshme, për mënyrën e caktimit të tyre dhe, mbi të gjitha, për besimin në pikën më të ulët për arbitrat. - Të marrë në konsideratë mundësitë që të paktën ndeshjet e Kategorisë Superiore të gjykohen nga 6 arbitra. Dhe kjo pa shtesë shpenzimesh financiare, por duke ulur pagesat aktuale për katërshen klasike dhe shpërndarjen e shumës së tepruar për arbitrat ndihmës.
- Mundësisht emërimin e një disenjatori arbitrash të huaj, i cili do të ishte i baraslarguar nga ndërhyrjet dhe presioni i klubeve, por në të njëjtën kohë do të injektonte edhe një sjellje më të mirë të atyre arbitrave, që synojnë të vijojnë gjatë me këtë profesion. Aktualisht janë një numër i madh federatash që këtë detyrë ua kanë besuar ish-arbitrave të njohur ndërkombëtarë nga vende të tjera.
- Thjeshtimin e procedurave për marrjen e arbitrave të huaj, për gjykimin e ndeshjeve të rëndësishme të futbollit. Paraqitja e skuadrës së arbitrave në harkun e pak ditëve, nga ndeshjet e Kupës tek ato të kampionatit, më shumë se zhgënjyese dhe demaskuese në sytë e të gjithëve, e ka vendosur realisht arbitrimin shqiptar në udhëkryq dhe, nëse nuk do të ketë një ndërhyrje të fortë dhe efikase, për ta rikthyer në korsinë e duhur, rrezikon ta humbasim përfundimisht atë.
